Nga Mila Ballhysa
Disa ditë më parë, videoja ku shfaqej një pronar plazhi privat në zonën e Kallmit që nuk lejonte një çift të ri të realizonte fotot dhe videon e klipit të dasmës pa i paguar më parë atij tarifën prej 2000 lekësh të reja bëri xhiron e të gjitha mediave dhe portaleve në Shqipëri.
Denoncimi ngjalli reagim të madh edhe tek opinioni publik, jo vetëm në Durrës, por edhe më gjerë. Sharje e mallkime për politikanët, pushtetarët dhe institucionet që lejojnë këto absurditete, ofendime dhe tallje për një pseudopronar që pretendonte se detin dhe kodrën në Kallm i kishte pronë të tij.
Mjaftoi një video për të kthyer vëmendjen tek ai që është bërë një “trend” vitet e fundit në vendin tonë.
Pronarët e të ashtuquajturave plazhe private përgjatë vijës bregdetare shfrytëzojnë një nga ditët më të bukura në jetën e një çifti të ri për të pasuruar xhepin e tyre duke shfrytëzuar bukuritë e natyrës së bregdetit të Durrësit. I pajisur me një vijë bregdetare për t'u pasur zili, Kallmi po shihet nga ata që kanë privatizuar plazhet e tij si një mundësi për te vjelë sa më shumë nga një pasuri e përbashkët.
Tashmë edhe deti aty ka një çmim të kripur, madje tarifat variojnë sipas oreksit të pronarëve. Qëllon që brenda ditës apo në ditë të ndryshme, në po të njëjtin vend, për çifte të ndryshme aplikohen tarifa të ndryshme. Dikush mund të paguajë 20 mijë lekë të vjetra, një tjetër 60 mijë. Mesa duket çmimi i detit apo rërës lirohet apo shtrenjtohet sipas oreksit të pronarit “denbabaden” të bregdetit.
Me të njëjtën babëzi si u zunë tokat vite më parë, nga banorët e ardhur nga qytete dhe zona të ndryshme të veriut dhe jugut në Durrës, e njëjta praktikë po përdoret për të zaptuar detin dhe rërën që natyra ia ka falur aq bujarisht qytetit. Vihen çadra, shezllone, madje rrethohet rëra e në raste të rralla edhe deti si për të treguar se se janë ata zot të truallit.
Pronarët e detit dhe rërës së Durrësit ‘blejnë’ me sy dhëndrin për të kuptuar sa është i gatshëm të paguajë dhe japin tarifën e kripur. Nëse nuk paguan do të kthehesh nga ke ardhur dhe do mbetesh pa foto artistike të ditës së dasmës.
Çmimi tashmë bëhet publik
Një ditë më parë, në media u publikua një tabelë e shtrembër, e shkruar si letër bakalli, që u bënte të ditur të gjithë atyre që u binte rruga nga Kallmi se tarifa për videoklipe është 20 mijë lekë të vjetra.
Dhe kjo është tarifa më e ulët që aplikohet në bregdetin e Durrësit. Nga një bisedë që DurrësLajm zhvilloi me një nga fotografët profesionistë të qytetit, mësuam se çmimet për videoklipin e dasmës janë të kripura, prandaj duhet të mateni mirë para se të zgjidhni vendin ku do të realizoni fotot.
Në Kallm, tarifat variojnë nga 20-30-60 mijë lekë të vjetra, ndërsa ato fillojnë të ngrihen përgjatë bregdetit të plazhit të madh, zonës së Shkëmbit të Kavajës apo komplekseve luksoze në autostradë.
Nëse deri para 3 vitesh, pronarët mjaftoheshin me 1000 lekë të rinj që i doroviste çifti meqë lejoheshin të fotografoheshin në plazhe apo prona private, tashmë askush nuk të lejon të realizosh foto apo video pa paguar shifra që arrijnë 10 mijë lekë deri në 150 euro.
Kështu, tek kompleksi “Tropikal” tarifa për videoklip është 10 mijë lekë të rinj. Ndërsa tek komplekset Royal Hill apo Iliria Pallace, përgjatë autostradës Durrës-Tiranë tarifat variojnë 100-150 euro.
Shumica e këtyre vendeve nuk i reklamojnë çmimet, por i komunikojnë ato gojarisht. Në përgjithësi, xhirimet për klipin e dasmës variojnë jo më shumë se 30 minuta.
Në kohën kur dasmat arrijnë pikun përsa i përket numrit, nuk është çudi që në të njëjtin vend të jenë njëkohësisht 7-8 çifte që bëjnë “garë” për të zënë sfondin më të bukur për fotografi apo xhirime.
Kështu çiftet nuk kanë as privatësinë e nevojshme dhe as kohën e mjaftueshme për të shfrytëzuar në maksimum kohën në dispozicion për të memorizuar përgjithnjë dasmën e tyre. Por kjo nuk u intereson aspak pronarëve të këtyre vendeve.
Ata janë shumë bujarë që u vënë në dispozicion ambientet e tyre çifteve. Janë këta të fundit që duhet të tregohen shumë të shkathët, të harrojnë emocionet dhe të pozojnë para syve të shumë personave. Në fund të fundit lekët i janë dhënë pronarit, jeni ju që mbeteni pa klip nëse e merrni shtruar-shtruar.
Reagimi i munguar
Përveç zhurmës që u bë në rrjetet sociale, asnjë institucion nuk reagoi ndaj këtij fenomeni abuzues të disa pseudopronarëve në Kallm. Madje, si për të mos lënë dyshime dhe për të evituar në të ardhmen keqkuptime me çiftet e reja u shfaq tabela që taksonte çmimin që duhet të paguani për t’u fotografuar në bregdetin e Kallmit.
Kuponi tatimor, një nga kuajt e betejës të administratës tatimore të kryeministrit Rama, mungon në këto raste. Ku deklarohen këto të ardhura apo shkojnë direkt në xhepin e pronarit? Fundja kuponi i kërkohet edhe shitëses së majdanozit, ndërsa këtyre pronarëve të pasurive publike të shqiptarëve u shkelet syri dhe lejohen të veprojnë sërish të pashqetësuar nga Tatimet.
Nuk ka kupon tatimor as kur paguan 5-7-10 mijë lekë të vjetra dy shezllone. As kur paguan dyfishin apo më shumë për një shishe ujë. Tatimorët në këto raste i besojnë 'ndershmërisë' së pronarëve. Madje shumë prej tyre, nëse u kërkon lejen për plazhin privat ndoshta as nuk e kanë.
Kur dëgjon këto absurdite shqiptare në mendje të vjen shprehja e vjetër: Çudia më e madhe 3 ditë zgjat! Por në këtë Shqipërinë tonë me halle shumë edhe këto 3 ditë kanë nisur të duken kohë e tepërt…