10 nëntor 2015 – Në lagjen numër 8 në Durrës, edhe dielli lind ndryshe… Një lagje e ngjashme me lagjet e rrezikshme të qytetit të famashëm amerikan, Detroit.

Rrapush J. 32 vjeç, të dielën në fundjavë, u përcoll për në banesën e fundit si pasojë e overdozës. Ishte prind i dy fëmijëve të mitur. Është një prej qindra apo mijëra përdoruesve të drogës në qytetin e Durrësit. U përcoll pa bujë e pa zhurmë, madje familja e tij shumë e varfër, bashkëshortja dhe prindërit, vetëm një shpallje mundën t’i printonin në mungesë të parave.

Në këtë lagje, që gjendet në kodrën e Nishtullës, një pjesë e madhe e komunitetit janë romë. Rom ishte edhe Rrapushi. Të rinjtë këtu flasin pa droje se kjo është lagjja më e varfër në Durrës.

“Rrapushi ishte narkoman, kishte vite që pinte drogë. Natën e fundit e çuam në spital t’i bënim diçka, por venat nuk i mbanin më as serum. Mjekët na thanë që kishte overdozë dhe do të vdiste. Vdiq në orën 12 të natës. Ka lënë 2 fëmijë të vegjël”, kështu shprehet një djalë i ri tek të 20-tat.

Shoku i tij thotë se drogën e ka pirë gjithë kohën edhe pse ishte pa një punë stabël.

“Mblidhte kanoçe, apo paratë i merrte borxh sa te njëri te tjetri. Droga ia hëngri kokën. Kështu po ndodh në këtë lagje. Shumica e të rinjve drogohen, e fillojnë me hashash, dhe përfundojnë me shiringë”, thotë një djalë tjetër i ri.

Ata që janë në një punë stabël në këtë lagje janë njerëz e familje me fat. Qemali, 58 vjeç, është një banor i lagjes 8, i cili ka 38 vjet punë në ndërmarrjen e pastrimit të qytetit. Ai konsiderohet me shumë fat.

“Këtu shumica janë njerëz të papunë. Unë kam frikë se mos i shkrepet dhe më heqin nga puna edhe pse kam 38 vjet në pastrimin e qytetit, turni i tretë. Unë jam me fat se e kam rrogën 350 mijë lekë të vjetër në muaj. Na e bëri Lefter Koka kaq rrogën neve, kur ishte kryetar bashkie. Ne të turnit të tretë që pastrojmë rrugët, se ata të turnit të parë 250 mijë e kanë.

Në këtë lagje, një pjesë e burrave kanë punuar apo punojnë këtu, afër te një fabrikë, por atje paguhen me 7 mijë lekë të vjetër në ditë. Është punë e rëndë, dhe nuk u del as të mbushin barkun me bukë. Këtu njerëzit vdesin të rinj. Të rinjtë vdesin nga droga, ndërsa më të vjetrit nga sëmundje kronike.”

Dallandyshe M., një banore e vjetër thotë se sapo bie mbrëmja në këtë lagje, gratë nuk dalin nga shtëpitë.

“Nëse harron ndonjë gjë në ballkon në katet e para e të dyta ta vjedhin. Nuk e gjen më kurrë. Këtu të gjithë janë hajdutë. Janë pa punë e nuk kanë me çfarë të merren. Në katin e parë të pallatit mblidhen natën ata që pinë drogë, dhe banorët kanë frikë të dalin natën. Janë pa punë. Pa të ardhme të rinjtë. Vetëm të vjedhin kanë mundësi. Dhe banorët janë vigjilentë nga hajdutët, sepse shtëpitë nuk mund t’i lëmë kurrë vetëm.”

Në këtë lagje, duket sikur ligjet dhe shteti janë shumë larg me realitetin e përditshëm. Kjo sepse njerëzit e ndershëm përpiqen të mbijetojnë me punë të rënda e të rëndomta, duke mbledhur kanoçe e sende të riciklueshme, të tjerë bien pre e drogës dhe veseve. Shteti është larg sepse dielli lind e perëndon në të njëjtat rrugë me gjol, me pluhur e baltë, ndërsa shpresa duket se ka vdekur ndër njerëz.

Është kjo lagjja, ku droga, dhuna, vjedhjet bëjnë ligjin. 

/K.H. portali DurresLajm/