Gjykata e Kavajës ka caktuar masën e sigurisë "detyrim paraqitje" për Marsida Qatjan për akuzën e përshtatjes së ambienteve për përdorim të lëndëve narkotike.

Kjo masë sigurie është kërkuar edhe nga Prokuroria, për shkak se është nënë e një fëmije 2 vjeç. Mësohet se Qatja nuk ishte e pranishme në këtë seancë që është zhvilluar me dyer të mbyllura. Ajo është vënë në dijeni që është vënë në hetim nga Prokuroria për këtë, teksa siç është raportuar më herët, ajo ka pasur edhe një tjetër akuzë për "mashtrim", pas denoncimeve të bëra nga disa qytetarë për bileta fiktive nga agjensia e udhëtimit në pronësi të saj.

Organi i akuzës nisi hetimet ditën e djeshme, nga ku referuar nenit 285/a të Kodit Penal, për akuzën për përshtatje të banesës për grumbullimin e personave me qëllim konsumimin e substancave narkotike, nëse gjykata nuk pranon kërkesën e Prokurorisë, Qatja rrezikon të dënohet deri në 5 vite burg.

Në datën 10 tetor, në banesën e Marsida Qatjas, Bledar Toçi, efekt sigurie në Burgun e Durrësit, vrau me armën e shërbimit Dritan Haxhollin, për të cilën referuar dëshmive, edhe pse kontradiktore, Qatja tha se e përndiqte dhe e kërcënonte.