Amnistia fiskale e qeverisë do të përfshijë edhe faljen e taksave të papaguara nga makinat deri në 2010. Qeveria ka përfunduar draftin e amnistisë fiskale ku, krahas faljes së detyrimeve të krijuara nga biznesi në tatime dhe dogana, ka përfshirë edhe për makinat deri në 2011.
Gazeta mëson se në amnistinë fiskale, Ministria e Financave ka përfshirë në nenin 6 të draftit çregjistrimin e makinave, duke i falur detyrimet e papaguara deri në vitin 2010.
Në draft është parashikuar që personat e interesuar kanë të drejtë që brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e ligjit të paraqiten pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit të Transporteve për të kryer pa pagesë veprimet e çregjistrimit, apo në rast se duan të mbajnë aktiv mjetin duhet të kryejnë pagesat e të gjitha detyrimeve.
Çregjistrimi i mjeteve bëhet pa paguar të gjitha detyrimet e prapambetura, duke përfshirë taksën e regjistrimit të përvitshëm të makinës, taksën vjetore të qarkullimit, taksën vjetore të mjeteve të përdorura, si dhe gjobat e llogaritura për efekt të mospagimit të taksave.
Nëse brenda 6 muajve personat e interesuar nuk bëjnë çregjistrimin, Drejtoria e Transporteve duhet të kryejë vetë çregjistrimin e mjeteve dhe shuan detyrimet tatimore.
Sipas të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit të Transportit Rrugor, janë përafërsisht 100 mijë automjete, të cilat nuk janë aktive, pra që nuk kanë kryer veprime për detyrimet financiare dhe kontrollin teknik për një periudhë të gjatë kohe, afërsisht 10 vjet.
Pronarët e 100 mijë automjeteve nuk janë paraqitur për asnjë lloj veprimi pranë Drejtorisë së Shërbimit të Transportit, edhe gjatë afatit të zbatimit të ligjit të mëparshëm të faljes së detyrimeve.
Përfshirja e faljes së detyrimeve të makinave në draftin e amnistisë fiskale ka qëllim pastrimin e të dhënave të mjeteve të transportit, të cilat për një periudhë 10- vjeçare nuk kanë kryer asnjë pagesë dhe janë jashtë qarkullimit.
BIZNESI
Në draftin e Financave është përfshirë edhe falja e detyrimeve të papaguara nga biznesi në tatime dhe dogana deri në 2011. Për borxhet e krijuara nga 1 janari 2012, qeveria ka parashikuar faljen e 30 për qind të penaliteteve, në rast se paguhet 70 për qind e detyrimit.
“Monitor” zbardh detyrimet e biznesit që fal amnistia dhe kushtet e përfitimit. Projektligji përfshin faljen e të gjithë detyrimeve të TVSH-së, tatimfitimi, taksa vendore e biznesit të vogël, taksa doganore, gjoba, deri në dhjetor 2010, ndërsa nga janari 2011 deri dhjetor 2015 parashikohet falja e gjobave, me kusht pagimin e detyrimit deri në fund të vitit 2016.
Përfitues të faljes së detyrimeve do të jenë ato biznese që nuk paraqiten me kërkesa për rimbursim dhe debitorët e administratës doganore. Për biznesin e madh parashikohet falja e detyrimeve të papaguara të TVSH-së, ndërsa biznesit të vogël do t’i falen tatimfitimi i papaguar dhe taksat vendore para 31 dhjetorit 2010.
Në amnisti do të përfshihen edhe gjobat e vendosura para 2010, për mosdeklarim në afat apo mosdeklarim, me kusht që këto deklarata të dorëzohen deri më 31 dhjetor 2016. Për detyrimet që biznesi ka krijuar në dogana, në amnisti do të përfshihen ato të papaguara deri në 2010, ndërsa nga 1 janari 2011 deri më 31 dhjetor 2015 falen gjobat, me kusht pagimin e detyrimit deri në dhjetor 2016.
Ndërsa nga janari 2011 deri dhjetor 2015 është përfshirë falja e gjobave, me kusht pagimin e detyrimit dhe interesave deri në 31 dhjetor 2016.
Nga amnistia nuk do të përfitojnë tatimpaguesit që janë dënuar me vendim të formës së prerë për fshehje të ardhurash dhe ata që janë në proces penal për fshehje të ardhurash.
/Panorama/





