Moska e ka shpallur transmetuesin ndërkombëtar gjerman “Deutsche Welle” (DW) një “organizatë të padëshirueshme”, duke i ndaluar praktikisht veprimtarinë në Rusi.

Vendimi pason një rekomandim të Dumës Shtetërore, dhomës së ulët të parlamentit rus, raportoi sot DW.

Në një njoftim qeveritar të publikuar dje në Telegram thuhet se Prokuroria e Përgjithshme e konsideron tani DW-në “në vijën e parë të propagandës armiqësore antiruse”. Prokuroria nuk ka lëshuar një deklaratë të veçantë.

Drejtoresha e Përgjithshme e DW-së, Barbara Massing, kritikoi ashpërsimin e goditjes ndaj mediave të lira nga gjyqësori rus.

“Rusia mund të na shpallë një organizatë të padëshirueshme, por kjo nuk do të na ndalë. Kjo përpjekje e fundit për të heshtur median e lirë nxjerr në pah mospërfilljen e hapur të regjimit rus ndaj lirisë së shtypit dhe frikën e tij nga informacioni i pavarur”, tha Massing në një deklaratë.

“Pavarësisht censurës dhe bllokimit të shërbimeve tona nga qeveria ruse, shërbimi rusisht i DW-së tani arrin më shumë njerëz se kurrë më parë.

Ne do të vazhdojmë të raportojmë në mënyrë të pavarur , për luftën e agresionit kundër Ukrainës dhe tema të tjera për të cilat ka pak informacion në Rusi, në mënyrë që njerëzit të formojnë vetë opinionet e tyre”, theksoi Massing.

Rusia e ka goditur DW-në prej vitesh, duke i hequr akreditimet dhe duke ndaluar transmetimet e saj në shkurt 2022. Faqja e internetit e transmetuesit është bllokuar dhe DW u shpall “agjent i huaj” në mars 2022.

Etiketimi i ri i ashpërson më tej kufizimet, pasi bashkëpunimi me një “organizatë të padëshirueshme” mund të sjellë gjoba ose dënime me burg.

“Kjo do të thotë se punonjësit rusë të DW-së preken veçanërisht”, shtoi Massing.