20 janar 2014 – Në një deklaratë për mediat, kreu i grupit të LSI-së, Petrir Vasili ka kërkuar interpelancë urgjente me ministrin e punëve të Jashtme Ditmir Bushati në lidhje me projektin e palës maqedonase që parashikon devijimin e lumit Radika. Vasili theksoi se transparenca dhe interesat e vendit duhet të prevalojnë mbi çdo gjë. “Pala shqiptare të kërkojë zbatim të marrëveshjes “Drini një vizion strategjik i përbashkët. Bëjmë detyrën tonë ndaj pasurisë së përbashkët kombëtare. Bashkohemi me shqetësimet e mëdha të opinionit publik, i cili kërkon transparencë”- u shpreh Vasili.    Një ditë më parë shoqëria civile dhe qytetarët e Dibrës e Tiranës zhvilluan një protestë përpara Piramidës në kryeqytet, kundër devijimit të lumit Radika, për ndërtimin e hidrocentralit në Fushën e Lukovës. Protestuesit kundërshtuan devijimin e lumit, duke hedhur idenë që të zhvillohet një referendum lokal për këtë çështje.  Ndërkohë në Tiranë është krijuar edhe Aleanca Kundër Devijimit të Lumenjve, që ka marrë përsipër sensibilizimin e kësaj çështjeje.