Sheshi “Veliera” pritet të sjellë një ndryshim shumë të madh edhe përsa i përket lëvizjes së këmbësorëve dhe të makinave. Ndërtimi i një tuneli poshtë sheshit, do të lidhë segmentin nga Banka Kombëtare deri te rrethrrotullimi që do të ndërtohet para bar “Portside”.
Por çfarë zgjidhje i kanë dhënë urbanistët në projektin e “Velierës” problemit të rëndë të trafikut në këtë zonë me intensitet shumë të lartë lëvizjeje?
Rruga tregtare do të vijojë të lidhet me portin e Durrësit, rruga nga Banka Kombëtare do të vijojë të jetë me dy korsi lëvizjeje për sens, poshtë tunelit, për t’u kthyer mbrapsht tek rrethrrotullimi, ose për të vijuar më tej deri në Currila. Tuneli sipas projektit është parashikuar të ndërtohet konkretisht tek kryqëzimi aktual i rrugëve. Dy rrugë dytësore njëra përpara “Fly”-it, dhe tjetra në krah të Torrës, nxjerrin në rrugë automjetet që vijnë nga rruga tregtare në drejtim të portit. Këmbësorëve u jepet prioritet, sepse ata nuk e ndërpresin rrugën e makinave, duke bërë që të lëvizin mbi sheshin që është parashikuar të ndërtohet. Kreu i bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako ka sqaruar të gjithë planin urban të këtij sheshi dhe zgjidhjet që janë parashikuar për trafikun e makinave dhe të këmbësorëve.
Për më shumë ndiqni deklaratën e Dakos për mënyrën se si do të rregullohet trafiku në këtë zonë.
K.H.