Bashkia e Durrësit nuk ka për t’u tërhequr për asnjë moment nga zbatimi i projektit të ndërtimit të “Velierës”. Këtë e tregon qartë vijimi i punimeve në sheshin i cili është bërë objekt i një debati kombëtar për shkak të pasurisë nëntokësore e mbitokësore, në këtë zonë në qendër të qytetit bregdetar. Prej dy ditësh trafiku është hapur në rrugën tregtare duke gjetur si zgjidhje ndërtimin e rrugëve anësore përreth Torrës Veneciane për të dalë nga rruga tregtare drejt shëtitores “Taulantia” dhe kthimin nëpërmjet rrugës së ndërtuar në ish-lulishten pranë hyrjes së portit. Ndërkaq automjetet që vijnë nga rruga “Egnatia”, hyjnë para pallatit të kompleksit “Fly” për të vijuar në drejtim të Torrës Veneciane.
Trafiku është devijuar duke i dhënë këtë zgjidhje e cila do të jetë përfudimtare, por do të shtohet edhe tuneli nëntokësor tek kryqëzimi i rrugës në afërsi të Torrës Veneciane. I gjithë sheshi në këtë mënyrë në përfundim të punimeve i kalon këmbësorëve, ndërsa pritet edhe realizimi i velës rreth 2 mijë metra katrorë.
K.H.