10 dhjetor 2013- Rikthehet sërish në vëmëndje ngjarja e rëndë ku u vranë dy vëllezërit në kufi. Sot familjarët e viktimave kanë kërkuar që të ribëhet ekspertiza mjeko-ligjore. Policia e Korçës ka bërë me dije se do të dërgojnë një grup ekspertësh në Devoll për ekspertizën.

Ndërkaq, familjarët kanë ngritur dyshime rreth ngjarjes, duke hedhur poshtë versionin e publikuar nga policia greke. Ata kanë rrëfyer se dy djemtë i kanë marrë plumbat në shpinë dhe se policia greke i ka ndjekur në territorin shqiptar.

Trupat e dy vëllezërve Melsi dhe Klevis Çollaku kanë mbërritur të hënën rreth orës 13:50 në banesën e tyre në fshatin Shuec të Devollit. Familjarët pretendojnë se trupat e pajetë janë nxjerrë totalisht të zhveshur dhe të papastruar nga morgu i Kozanës në Greqi. Më herët, familjarët kanë deklaruar se nuk e njohin të vërtetën për ngjarjen.