Bledar Devolli është zyrtarizuar si i pari i stolit të Teutës, ku zëvendëson Edi Martinin. Trajneri gjirokastrit është prezantuar para ekipit nga presidenti Edmond Hasanbelliu dhe më pas ka drejtuar seancën e parë stërvitore, që ka zgjatur dy orë të plota. Ndihmës i Devollit do të jetë Endri Vrapi, ndërkohë që nga stafi i mëparshëm qëndrojnë Bledar Hodo, përgatitësi atletik Mark Dodaj dhe ai i portierëve Bledian Rizvani. Trajneri i ri do të debutojë në Korçë të shtunën ndaj Skënderbeut, ku shpreson për një nisje të mbarë të aventurës durrsake. Devolli tregon pse la Kosovën për të marrë drejtimin e Teutës dhe çfarë do të ndryshojë te kjo skuadër për ta rikthyer në “shina”.

Devolli, pse vendosët të lini Lirinë dhe të merrni drejtimin e Teutës në këtë moment?

Dua të falënderoj presidentin Hasanbelliu për besimin ndaj meje. Ne jemi edhe miq bashkë, në Durrës kam kaluar një vit shumë të mirë kur kam qenë futbollist. Falënderoj gjithashtu edhe drejtuesit e Lirisë, të cilët më dhanë lejen që të vija në Durrës. Vij me qejf të madh te Teuta, e njoh ekipin, disa lojtarë i kam stërvitur edhe vetë. Po ashtu disa ndeshje të Teutës i kam parë dhe shpresoj ta kalojmë këtë ngërç që e ka kapur në këtë periudhë.

Deri ku mendon se mund të shkojë Teuta me këtë grup lojtarësh që ka aktualisht?

E thashë që e njoh skuadrën, kemi lojtarë me eksperiencë, por edhe të rinj me talent. Mendoj se i kemi “armët” që t’i bëjmë keq çdo ekipi. Duhet të luajmë me rregull kur kemi topin dhe kur nuk e kemi atë. Shumë shpejt, pse jo që këtë javë, mund ta ndryshojmë situatën.

Çfarë ju ka kërkuar presidenti Hasanbelliu, kur ratë dakord për marrëveshjen?

Presidenti më ka kërkuar të fitojmë ndeshjen e radhës, ndeshjen në Korçë. Duam të hapim një kapitull të ri, ta zëmë se për ne fillon kampionati me Skënderbeun. Të marrim maksimumin dhe pastaj pas 15 ndeshjesh do të shohim se ku do të arrijmë.

Çfarë prisni nga merkatoja e janarit, që po shkon drejt fundit të saj?

Kemi folur me presidentin dhe do të shohim me kujdes, pasi janari është pak i vakët për merkato. Shpresojmë që të vijnë një apo dy lojtarë, të futim edhe konkurrencën në ekip, sepse ajo i bën grupit. Duhet të kemi alternativa, që të mos bëhemi pishman kur bëjmë një ndërrim gjatë ndeshjeve.

E nisni kundër Skënderbeut në transfertë. Sa besoni se mund të fitoni në Korçë?

Normal që besoj, dua të fitoj çdo ndeshje, jo vetëm me Skënderbeun. Këtë duhet të ngulitim mirë në kokë, edhe pse lojtarët janë pak të rënduar pak nga ana psikologjike. Shpresojmë ta nisim me këmbë të mbarë.