Të gjithë e njohim Mario Balotelin, për talentin e tij të jashtëzakonshëm në fushë, por edhe për çmenduritë e tij brenda dhe jashtë saj. E fundit ishte basti që vuri me ndjekësit e tij, ku ai që do hidhej me një motor brenda në det, do paguhej plot 2 mijë euro.

Një i ri në Napoli e kreu pikërisht këtë gjë, të dokumentuar me një video, të postuar nga vetë Super Mario në rrjetet sociale, por kjo duket se do i kushtojë shumë italianit.

Është pikërisht Policia e Komunës së Napolit, që ka denoncuar Mario Balotelin, me akuzat e bixhozit të paligjshëm, teksa dhuroi 2 mijë euro, si dhe mikun e tij, Katelo Buonokore që hodhi në det motorin.

Tashmë çështja pritet të kalojë në gjykatë, dhe do të jetë gjykatësi ai që do të marrë vendimin, nëse Baloteli do të dënohet për këto gjeste apo jo.