Sot Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka miratuar kërkesën për dorëheqje nga detyra të kryegjyqtares së Durrësit, Joana Qeleshi. Kërkesa e dorëheqjes është bërë disa ditë më parë nga Qeleshi e cila këtë post e mori në korrik të vitit 2013.
Në një lidhje telefonike për "DurrësLajm", ish-kryegjyqtarja Qeleshi tha se ditë më parë është drejtuar me një letër për të paraqitur dorëheqjen pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor.
"Mendoj që kam dhënë shumë për Durrësin. Prej një kohe të gjatë kam shërbyer në këtë gjykatë. Kishte ardhur koha që të shikoj karrierën në një stad tjetër siç është sektori privat", tha magjistratja e cila nuk i është nënshtruar ende procesit të Vettingut.
“Pavarësisht pasionit tim për profesionin e gjyqtarit, duke qenë se më është ofruar një mundësi profesionale me preferencën dhe ekspertizën time në fushën e Shoqërive Tregtare, kam vendosur të ndjek një stad të ri në karrierën time, duke iu përkushtuar sektorit privat. Mundësia që më është ofruar në këtë sektor në pozicionin e Drejtores Juridike pranë Spitalit Amerikan, paraqitet si sfidë e re profesionale për mua”, shkruan ajo te letra e dorëheqjes, dorëzuar disa ditë më parë, por që vetëm sot u shqyrtua dhe miratua nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë.
Çështja e fundit kur Qeleshi u diskutua në publik ishte rasti i dhënies së mandatit për Valbona Sakon si kryetare e bashkisë Durrës. Ndonëse Gjykata e Durrësit kishte marrë një vendim për mos njohjen e mandatit të Sakos, dy ditë më pas e njëjta çështje u gjykua në të njëjtën Gjykatë ku drejtonte Qeleshi, duke i dhënë mandatin kryebashkiakes.
Pas dorëheqjes së Qeleshit, Gjykata e Durrësit po mbulohet nga zv.kryetari, Markeljan Koça deri në caktimin e kryetarit të përkohshëm, apo emërimin e kryetarit të ri.
K.H.





