Jared Kushner, dhëndri i Presidentit Donald Trump dhe këshilltar i lartë në Shtëpinë e Bardhë, është pjesë e hetimeve të FBI-së për lidhjet me Rusinë.
Kushner po hetohet për shkak të takimeve në dhjetor dhe për shkak të komunikimeve të tjera me ambasadorin e Rusisë dhe një bankier në Moskë, sipas një njoftimi të Washington Postit, që i referohet burimeve me njohuri nga hetimet.
FBI-ja, disa komisione të Kongresit dhe një prokuror i posaçëm janë duke kryer hetime mbi dy pista, njëra mbi dyshimet se Rusia është përpjekur të ndikojë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 dhe tjetra se këshilltarë të presidentit Trump mund të kenë pasur lidhje me zyrtarë rusë, të cilët synonin të ndikonin mbi zgjedhjet.
Moska nga ana e saj vazhdimisht i ka mohuar akuzat dhe presidenti Trump ka hedhur poshtë mundësinë për lidhje të fshehta të ndihmësve të tij me Rusinë.
Ende nuk dihet në se FBI-ja i ka kërkuar Kushner-it të dorëzojë ndonjë dokument.
Një prej avokatëve të Kushner, Jamie Gorelick, përmes një deklarate tha se klienti do të bashkëpunojë me autoritetet.
FBI-ja dhe Shtëpia e Bardhë nuk u janë përgjigjur kërkesave për koment mbi këtë çështje.