Janë zbuluar detaje të reja nga vrasja e trefishë në Tiranë, ku dhëndri qëlloi për vdekje vjehrrin dhe vjehrrën dhe më pas qëlloi edhe veten.
“BalkanWeb” raporton se ata fillimisht kanë debatuar dhe më pas dhëndri ka qëlluar në drejtim të tyre duke i lënë të vdekur në vend. Pasi është larguar nga banesa e tyre dhëndri ka qëlluar edhe mbi veten dhe rrugës për në Spitalin e Traumës ka ndërruar jetë.
Sipas të dhënave të para, thuhet se dhëndri kishte shkuar në shtëpinë e vjehrrit dhe të vjehrrës për të sqaruar një konflikt, por situata më pas precipitoi në konflikt me armë.
Viktima të kësaj ngjarje të rëndë mbetën Bujar Mata, 63 vjeç, Valentina (Xhevrije) Mata, 52, dhe dhëndri Majlind Lala. Ky i fundit mësohet se prej një viti bashkëjetonte me vajzën e çiftit, por nuk kishte një martesë ligjore. Në momentin e krimit, vajza e çiftit të vrarë nuk ishte në shtëpinë e prindërve.
Informacioni paraprak:
Sot rreth orës 06:56, në Astir, në rrugën “Kristaq Mone” janë gjetur në banesë të vrarë me armë zjarri shtetasit B. M., 63 vjeç dhe Xh. M., 52 vjeçe. Poshtë ballkonit të banesës së shtetasve B. M., dhe Xh. M., është gjetur i dëmtuar dhëndëri i tyre, shtetasi M. L., i cili është transportuar për ndihmë mjekësore në spital ku dhe ka ndërruar jetë. Po punohet për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.





