Mes dhimbjes e lotëve sot iu dha lamtumira e fundit sipërmarrëses durrsake Shpresa Prodani. Homazhet në nderim të saj u mbajtën te pallati i kulturës “Aleksandër Moisiu”, ku dhjetëra të afërm, miq, kolegë e bashkëpunëtorë, deputetë dhe ish-deputetë të Durrësit shprehën ngushëllimet për ndarjen e parakohshme nga jeta të kësaj zonje të rrallë e mjaft të respektuar.

Një kolazh me foto nga disa prej momenteve më të rëndësishme të jetës së Shpresa Prodanit si nënë, gjyshe, drejtuese e suksesshme e kompanisë “Dyrrahsped”, anëtare dhe presidente e Klubit Rotarian, figurë e njohur dhe e nderuar në Durrës e më gjerë u shfaqën në hollin e pallatit të kulturës. Për miqtë e kolegët, humbja e parakohshme e Shpresës ishte një lajm tronditës.

Komuniteti i biznesit në Durrës ishte sot në zi. Kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Alban Isteri u shpreh i hidhëruar nga kjo humbje e madhe, pasi me largimin e Shpresa Prodanit, biznesi durrsak dhe jo vetëm humb një biznesmene me kontribut të pazëvendësueshëm për rimëkëmbjen e aktivitetit ekonomik në qytetin bregdetar.   

“Një ngjarje tronditëse për të gjithë komunitetin e biznesit në Durrës. Do ta kujtojmë Shpresën si një nënë shembullore, si një grua të mrekullueshme, si një familjare të përsosur si dhe një biznesmene e cila ka dhënë një kontribut të pazëvendësueshëm për rimëkëmbjen e aktivitetit ekonomik në të gjithë Durrësin.”

Të pikëlluar nga ndarja nga jeta të Shpresa Prodanit ishin edhe të gjithë anëtarët e klubit rotarian Durrës, pasi për shumë vite me radhë, ajo ka pasur një rol kyç në të gjitha aktivitetet, nismat humanitare dhe veprimtaritë e zhvilluara nga kjo organizatë.

Për Astrit Duçin, kreun aktual të Klubit Rotarian Durrës, Shpresa Prodani ishte një zonjë për t’u marrë shembull dhe gëzonte respektin e të gjithëve.

“Një grua shembullore mund të them, nga më të mirat që unë kam njohur. Me një respekt të jashtëzakonshëm për të dhe familjen.”

Ndërsa për Eleni Babameton, një mike dhe kolege prej shumë vitesh me Shpresën, humbja e saj është një dhimbje e madhe jo vetëm për rrethin e ngushtë familjar, por edhe për këdo që e njohu përgjatë viteve këtë grua që i kishte shoqet e rralla. 

“Një ditë e vështirë për të folur për zonjën Shpresa. Ka shumë fjalë për të thënë, ka qenë një bashkëshorte e mrekullueshme, një nënë zonjë që ka rritur tre fëmijë të mrekullueshmë, një mikeshë e mrekullueshme për të gjithë ne për t’u marrë model, një biznesmene që ndoqi të gjitha bizneset e të shoqit me sukses. Nuk ka fjalë për Shpresën, i meritonte vërtet ato tituj që ka marrë prej kohësh.”

Pas homazheve, arkivoli me trupin e Shpresa Prodanit u përcoll mes duartrokitjeve dhe lotëve të të gjithë të pranishmëve.