Dhimbje e lot sot në Durrës teksa përcillen në banesën e fundit viktimat e tërmetit të 26 nëntorit.
Në Pallatin e Kulturës "Aleksandër Moisiu" po mbahen homazhet për 8 anëtarët e familjes Lala.
Të veshur me të zeza, njerëz të shumtë janë mbledhur për t'iu dhënë lamtumirën e fundit 8 personave që gjetën vdekjen nën rrënojat e banesës së tyre në zonën e Kënetës.
I vetmi i mbijetuar i kësaj familje është Ramë Lala, i cili është nisur për mjekim të specializuar në Itali.
Ndërsa gjyshja Sahadetja, djali Iliri, nusja Marjeta, mbesa Grisilda, fëmijët e Marjetës, Amelia, Emilio, Dionisa dhe Enisi po kalojnë sot për herë të fundit në qytetin që i priti dhe i mori përjetësisht.
Në homazhe është i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga ministri Blendi Çuçi.