Kush prej nesh nuk e ka vuajtur të paktën një herë një dhimbje të lokalizuar tek gjuri? Ky është problem me të cilin mjeku haset çdo ditë. Shkaqet e dhimbjes janë të shumta dhe të ndryshme:
– Traumat, që mund të jenë të vogla ose të mëdha.
– Sëmundjet reumatizmale,
– Sëmundje të tjera të cilat mund të prekin kërcin ose kockën si p.sh. ato kancerogjene dhe sëmundjet qelbëzuese të gjurit.
Defektet e lindura të gjurit
Në disa raste mund të jenë dhe sëmundje të formacioneve të cilat e rrethojnë gjurin. Me dhimbje të gjurit paraqiten të dy sekset dhe të gjitha moshat. Ne rast se dhimbjet kanë origjinë traumatike, janë më të shpeshta tek meshkujt dhe kryesisht moshat aktive, 20-40 vjeç. Por traumat hasen jo pak edhe në moshat më të vogla. Tek seksi femër shkaku traumatik i dhimbjeve të gjurit është më i rrallë. Në këtë rast janë sëmundjet e tjera dhe kryesisht ato reumatizmale. Të sëmurët paraqiten tek mjeku për arsye të dhimbjeve dhe vështirësisë së lëvizjeve të gjurit. Në rastin e traumave të gjurit dhimbjet ndjehen kur gjuri preket ose lëndohet ose dhe kur nuk preket ose nuk lëndohet.
Shenjat që vërehen në traumat e gjurit janë:
– Gjuri ënjtet
– Disa herë mund të grumbullojë ujë ose gjak
– Lëvizjet kufizohen dhe ecja vështirësohet
– Pacienti ka pengesë në zbritjen ose ngjitjen e shkallëve
– Pacientët nuk mund të flenë gjatë natës sepse kur grumbullohet mjaft ujë ose gjak tek gjuri, si pasojë e presionit krijohet dhimbje e padurueshme.
Në rastet kur gjuri është prekur nga reumatizma
– gjuri ka ënjtje,
– gjuri ka skuqje,
– pacienti ka temperaturë lokale,
– pacienti mund të ketë dhe temperaturë të përgjithshme.
– edhe në këtë rast vërehet vështirësi në ecje dhe në përkuljen e gjurit.
– Në prekje gjuri është shumë i ndjeshëm.
Këto dhimbje nuk e lejojnë të sëmurin të bëjë gjumë të qetë. Nga kontrolli me grafi jo në të gjitha rastet mund të shihen ndryshime kockore tek gjuri. Kur shihen ndryshime tregon se sëmundja ka përparuar shumë dhe mundësia për ta mjekuar bëhet më e vështirë. Sëmundjet reumatizmale të gjurit mund të hasen në të gjitha moshat, ndërsa ndryshimet artrozike reumatizmale, domethënë gërryerja e sipërfaqeve të lëmuara të kyçit të gjurit, shihen kryesisht në moshat e mëdha sidomos pas dekadës së katërt.
Trajtimi
Në rastet kur pacienti ka pësuar një traumë të vogël dhe nuk vëren ndryshime lokale, atëherë mirë është të aplikojë të ftohta lokalisht, të qëndrojë për periudhë të shkurtër në regjim shtrati dhe të marrë medikamente për dhimbjen në rast se ajo është e fortë. Në qoftë se gjuri po ënjtet, ose pacienti nuk është në gjendje të ecë, duhet menjëherë të paraqitet tek specialisti, ku do t’i nënshtrohet kontrollit grafik dhe vizitës së mjekut. Pas ekzaminimeve do të përcaktohet diagnoza dhe mjekimi.
Trajtimi varet nga lloji i dëmtimit:
– Kur dëmtimi është brenda kyçit, bëhet heqje e ujit ose gjakut kur ato janë prezent.
– Kur dëmtimi është i rëndë mund të arrihet deri në operacion.
– Ka edhe raste kur gjuri nuk është i thyer, por për ta mbrojtur atë nga dhimbja dhe dëmtimet e mëtejshme mjeku specialist bën imobilizim provizor me gips.
Dëmtimet e gjurit mund të jenë të jashtme ose të brendshme.
– Këputje e lidhjeve (ligamenteve) të brendshme dhe të jashtme.
– Çarje e kërcit midis kockave të gjurit (meniskut).
Kur lëngu i kyçit të gjurit infektohet nga mikrobe të ndryshme, krijohet qelb tek gjuri, që patjetër, duhet të zbrazet:
– Me shiringë.
– Ose bëhet një plagë e vogël dhe lihet tub gome deri sa të mos eliminojë më qelb.
– Kjo kombinohet me marrjen e antibiotikëve dhe medikamenteve kundër dhimbjeve.
Mjeku i familjes përcakton specialistin ku pacienti duhet të paraqitet Ky i fundit rekomandon ekzaminimet e nevojshme si grafi analiza ose kur këto ekzaminime nuk janë të mjaftueshme për vënien e diagnozës ai rekomandon ekzaminimet e mëtejshme si skanerin ose rezonancën manjetike.
Problemet në gjunjët mund të vijnë dhe nga defekte të lindura ose nga rakiti. Në të dy këto raste mund të kemi deformime të anësive të poshtme që janë:
· Kur gjuri është i përkulur nga brenda domethënë anësitë e poshtme formojnë një deformim në forme X
· Ose kur gjuri është i përkulur nga jashtë domethënë anësitë e poshtme formojnë një deformim në formë O.
Në të dyja këto raste sipërfaqet e kontaktit janë të tilla ku pesha bie mbi një anë të sipërfaqes së kyçit, gjë që dëmton dhe prishë hapësirën e tij.
Në qoftë se nuk merren masa në periudha të hershme, pacienti keqësohet, kyçi bllokohet fare dhe nuk ka tjetër mundësi trajtimi veç zëvendësimit të tij me protezë.
Në mjaft raste edhe frakturat brenda gjurit çojnë në prishje të kyçit, i cili mund të përfundojë në protezim.
Të gjitha nyjet dhe të gjitha qeset që mbështjellin nyjet mund të ndikohen nga një proçes infektiv.Në praninë e dhimbjes atipike dhe të vazhdueshme, ose nëse trajtimi vazhdon për një periudhë kohore pak a shumë të zgjatur, dhe ka qenë i paefektshëm, ne duhet të rishikojmë diagnozën. Trajtimi më i efektshëm është krijimi i marrëdhënieve të mira mjek-pacient, të bazuar në gatishmërinë maksimale të mundshme të kujdesit si nga ana e pacientit ashtu edhe të mjekut.
Deformim i gjunjëve nga reumatizma
Ndodh që në mëngjes, kur ngihet nga shtrati pacienti të ndjejë një ngurtësim të kyçit i cili lirohet pas disa lëvizjeve të thjeshta.
Të gjitha sëmundjet e kyçit të gjurit shoqërohen me dhimbje të cilat sipas rastit kanë karakteristikat dhe trajtimet e tyre.
· Dhimbja që ndodh ose është theksuar gjatë kryerjes së aktiviteteve fizike, zbehet pasi aplikohet një analgjezik i fortë.
· Dhimbja, e lokalizuar vetëm në një pikë, e cila në prekje është shumë e dhimbshme.Një ekzaminim i mirë na ndihmon për të përcaktuar origjinën e dhimbjes.
· Dhimbje inflamatore është e pranishme edhe në pushim dhe nuk qetësohet me ndryshimin e pozicionit. Zakonisht shfaqet në gjysmën e dytë të natës dhe është ndjekur nga ngurtësimi në mëngjes, ky ngurtësim është i qëndrueshëm gjysmë ore.
Në rastet e infeksioneve si atyre reumatizmale dhe ato me qelb, është prezent temperatura lokale dhe e përgjithshme si dhe rritja e sedimentit të gjakut.
Kur vuajtjet e gjurit janë të zgjatura konstatohet dhe hollim i muskulaturës së kofshës, e cila bën që i sëmuri të çalojë si pasojë e uljes së forcës muskulare. Periudha e rehabilitimit zgjat më shumë.
Këshillohen të gjithë pacientët që janë me dhimbje gjuri të lidhen me një reumatolog ose ortoped, kjo varet nga natyra e ardhjes së dhimbjeve.