Pasditen e 19 marsit, dhjetëra besimtarë të krishterë në Durrës i janë bashkuar shtegtimit Arqidioqezan Jubilar, që u udhëhoq nga Imzot Arjan Dodaj, Arqipeshkëv i Metropolit Tiranë-Durrës.
“Dritë, më shumë dritë” ishte tema e shtegtimit e frymëzuar nga fjalët e fundit të Vincenc Prendushit, të shqiptuara nẽ burgun e vjetër të Durrësit ku në vitin 1947, ishin burgosur Imzot Prendushi dhe Jul Bonati.
E pikërisht nga burgu i vjetër i qytetit u bë pikënisja e shtegtimit, me një homazh dedikuar Vinçenc Prendushit, në ditën e ndarjes së tij nga jeta, një figurë e rëndësishme si klerik i lartë katolik shqiptar, por njëkohësisht edhe shkrimtar, përkthyes, publicist dhe studiues.
Ky shtegtim për At Bernardin Caruanan, famulltar i kishës “Shën Domeniku”, është edhe një mënyrë për të njohur vendet tona me vlera, si historike dhe fetare.
Arjan Dodaj, Arqipeshkëv i Metropolit Tiranë-Durrës e cilësoi shtegtimin si një mesazh shprese të rëndësishëm në çdo kohë, pasi pushteti i dashurisë është i vetmi mesazh që ka nevojë njerëzimi.
Shtegtimi vijoi deri në katedralen “Shën Luçia”, me pjesëmarrjen e një numri të lartë besimtarësh, vendas dhe të huaj të të gjitha moshave.