Dalja nga shtrati i kanalit të Tonës në fshatin Vadardhë njësia Sukth për shkak të reshjeve të dendura të shiut, ka shkaktuar përmbytjen e dhjetërave hektarë toke.

Kreu i njësisë administrative Sukth në Durrës, Rrapo Osmani tha për mediat se situata është shumë e rënduar por pavarësisht kësaj grupet e emergjencës janë në terren dhe kanë evauukuar banorët, banesat e të cilave rrezikohen nga përmbytja.

“Situata me të vërtetë është shumë e rënduar, kjo për shkak të daljes nga shtrati të kanalit Tonës. Fatmirësisht deri më tani nuk na ka dalë Erzeni në ato pika ku rrezikon që na ka dalë herë tjetër. Ne kemi marrë masat, kemi ngritur grupet e emergjencës me kryepleq me inspektorët e njësisë bashkiake. Kemi larguar të gjithë banorët që rrezikojnë më shumë në vendet ku Erzeni del dhe aktualisht janë tre familje me nga dhjetë persona që prej ditës së djeshme i kemi transferuar në Kavalishencë. Ata janë banorë të fshatit Vadardhë, lagjja e Dodëve. Situata sa po vjen dhe përkeqësohet. Ne grupet i kemi në terren dhe do bëjmë maksimumin. Gjënë e gjallë e kanë lëvizur vetë banorët po me ndihmesën tonë. Për momentin janë dhjetëra dhjetëra hektarë të mbuluara me ujë.”, tha Osmani.