Dhjetori i dytë vazhdon sërish sot. Studentët kanë bërë thirrje në rrjetet sociale, se protesta e tyre do ta vazhdojë sërish këtë të diel, duke bërë thirrje për mos politizim.

Ata thonë se duke qenë se grupe të tjera po mundohen t'i përçajnë, dhe kështu kanë hedhur disa ide.

E para: kërkojnë që mos ketë një drejtues, por organizimi të bëhet nëpërmjet rrjeteve sociale dhe e dyta që të bëhen të dallueshëm nga grupe politike propozojnë që të mbajnë në dorë një shami të kuqe.

"Studentë, të gjithë të bashkuar për të kërkuar me ngulm plotësimin e kushteve! Kush nuk ka mundësi të shkojë të mblidhet pranë fakulteteve të vet, të vijë direkt në ministrinë e Arsimit", thuhet në faqen e Facebook-ut të Universiteti.info.

Edhe Lëvizja për Universitetin bën thirrje që politika të qëndrojë larg studentëve.

"Studentët në protestë para Ministrisë së Arsimit po përballen me një fushatë të koordinuar dezinformimi dhe orvatjesh për t'i përçarë. Lëvizja Për Universitetin u bën thirrje të gjitha partive politike që të ndalin veprimet përçarëse ndaj studentëve. Edhe më fort se nga ne, thirrja për mospërfshirjen e partive vjen nga mijëra studentë njëzëri. Janë ata që e kanë kuptuar se partitë kanë vetëm një interes: përçarjen e studentëve dhe instrumentalizimin e protestës për agjendat e tyre".

Studentët kanë publikuar axhendën sipas së cilës të gjithë studentët do të mblidhen nëpër fakultetet e tyre nga ora 8:30 deri në orën 9:30 dhe më pas do të nisin marshimin për të qenë në orën 10:00 përpara Ministrisë së Arsimit. Ata përsëritin qëndrimin e tyre, jo negociata, por vetëm plotësim të kushteve.

KËRKESA E PLOTË E STUDENTËVE
Drejtuar: Ministrisë së Arsimit dhe Sportit
Ministres së Arsimit dhe Sportit Znj. Lindita Nikolla
Lënda: Kthim përgjigje me shkresë zyrtare

1. Përgjysmim i tarifës së studimit

2. Rritja nga 10% në 50% e peshës totale të votës së studentëve për të zgjedhur kandidatët për dekan/rekor dhe rritja e përfaqësisë së studentëve në senatin akademik me 20%.                                       

3. Mbështetur në nenin 99 mbi Këshillet Studentore, Ligji i Arsimit të Lartë pika 2 kërkojmë që Bordi i Administrimit të IAL-ve të ketë numër të barabartë votash si nga Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe IAL-të dhe të shtohet një përfaqësues në këtë bord nga studentët.

4. Mbështetje e studentëve për kërkime shkencore.

5. Mbështetje e studentëve të doktoraturës me fonde për kërkimin shkencor.

6. Përmirësim i kushteve të konvikteve të Universiteteve.

7. Dyfishim i buxhetit për arsimin e lartë.

8. Pajisja e të gjithë studentëve me kartën e Studentit brenda vitit akademik 2018-2019.
Presim përgjigje zyrtare me shkrim deri në orën 14:00. Kërkesa drejtohet nga Këshilla studentor.