Sipas Metali Deliallisit, drejtorit të DShP-së Durrës, mos zëvendësimi i drurëve të prerë dhe mungesa e organikës po i çon pyjet drejt shkatërrimit

Drejtoria e Shërbimit Pyjor Durrës nuk do të mbjellë asnjë dru pyjor këtë vit. Megjithëse dhjetori njihet ndryshe edhe si muaji i pyllëzimit, në qarkun e Durrësit nuk do të mbillet asnjë fidan i ri. Kjo për shkak se DShP-ja Durrës numëron vetëm 6 punonjës në organikën e saj dhe ata kanë si detyrë vetëm të ruajnë pyjet e jo të zëvendësojnë drurët e prerë me të rinj. Koshient për dëmin e madh që i është bërë pyjeve gjatë këtyre 20 viteve të fundit drejtori Metali Deliallisi shprehet se pyjet tona janë dëmtuar jashtëzakonisht,- “nëse do ta krahasonim me disa vite më parë dhe kur themi më parë i referohem viteve 90 e përpara, në rrethin e Durrësit, ndonëse sipërfaqja pyjore nuk është tkurrur shumë, po të flasim për drurët tani nuk kemi as gjysmën e tyre. Pas viteve 90 të gjitha pyjet nisën të priteshin dhe në një pjesë të mirë të rasteve edhe të digjeshin. Kjo e ka dëmtuar jashtëzakonisht pyllin. Më përpara nëse një dru apo e thënë ndryshe një pemë pritej, zëvendësohej menjëherë me një tjetër. Gjë që për fat të keq tani nuk ndodh më.

Nuk ndodh më, sepse tani nuk mbillen apo zëvendësohen më pemët e vjetra me të reja. Asokohe Drejtoria e Shërbimit Pyjor, kishte për detyrë që të mbillte drurë e pemë, pasi në organikën e saj kishte një numër shumë të madh punonjësish, të cilët merreshin me këtë punë. Ndërsa tani ne kemi në organikë një numër shumë të vogël, kanë mbetur vetëm 6 persona të cilët punojnë si policë pyjorë”. Sipas drejtorit Deliallisi, mungesa e vëmendjes nga ana e strukturave përgjegjëse gjatë gjithë këtyre viteve ka sjellë pasoja shumë negative për sipërfaqet pyjore të qarkut tonë. Sipas tij nëse nuk tregohet vëmendja e duhur e nëse nuk merren masa të menjëhershme situate mund të përkeqësohet edhe më shumë,- “vitet e fundit nuk i është dhënë shumë rëndësi pyjeve dhe unë mendoj se është shumë gabim. Të gjitha strukturat duhet të punojnë më shumë në këtë drejtim në mënyrë që t’i kthejmë pyjet në kohët më të lavdishme. Neve si drejtori e shërbimit pyjor nuk na kanë lënë shumë kompetenca dhe e vetmja gjë që mund të bëjmë është t’i ruajmë ato. Tani ndodhemi stinën e dimrit dhe janë të shumtë personat, të cilët presin pyjet për ti përdorur drurët për ngrohje.

Për këtë ne jemi gjatë gjithë kohës në terren në mënyrë që të mos lejojmë që pyjet të dëmtohen”. Drejtoria e shërbimit pyjor Durrës ka në inventarin e saj një sipërfaqe rreth 8.932 ha pyje dhe kullota të ndarë në: fond pyjor 8.428 ha dhe në fond kullosor 504 ha.Ato ndahen në tre kategori të cilat janë fondi ose sipërfaqja pyjore shtetërore, komunale dhe private. Sipërfaqja pyjore shtetërore është 3.622 ha, fond pyjor privat 256 ha dhe sipërfaqja kullotë është 503 ha, ndërsa fond pyjor komunal janë 4.552 ha. Fondi pyjor është i ndarë sipas qeverisjes dhe llojeve. Në rrethinat e Durrësit janë 1.171 ha pyje të larta ose siç njihen ndryshe trungishte, të cilat janë pyllëzime me pisha. Gjithashtu në rrethinat e qytetit bregdetar dhe në zonat e thella kjo drejtori ka nën administrim 4.193 ha pyje me cungishte, që do të thotë pyje të mesëm, dushk, frashër dhe plep. Një sipërfaqe prej 1.990 ha zënë pyjet e ulëta ose më mirë sipërfaqja e veshur me shkurre, shkozë, mare, shqopë, etj. Sigurisht që në zonën tonë një sipërfaqe të mirë e zë edhe bimësia pyjore inproduktive, djerrë dhe ajo ujore, e cila në total zë një sipërfaqe prej 1.039 ha.

Drejtoria e Shërbimit Pyjor Durrës si zonë të mbrojtur ka rezervatin natyror të menaxhuar Rrushkull me sipërfaqe 584 ha që i është dhënë në përdorim një subjekti që nga viti 2007 për mbarështimin e faunës së egër. Në këtë zonë të mbrojtur sipërfaqja pyjore zë 222 ha, sipërfaqja kënetore ujore 298 ha dhe sipërfaqja tjetër zë 64 ha. Zona e mbrojtur e rezervatit të Rrushkullit i përket kategorisë së IV sipas IUCN, se në Durrës kemi edhe monumente natyre që i përkasin kategorisë së II. Perspektiva e administrimit dhe pronësisë së pyjeve në rrethin e Durrësit është që këto sipërfaqe të gjelbërta të kalojnë në pronësi të njësive të qeverisjes vendore. Sipas drejtorit Deliallisi po kryhen të gjitha praktikat e nevojshme që sipërfaqet pyjore t’u kalojnë nën administrim bashkive e komunave të qarkut tonë. Deliallisi thekson se përveç zonës së mbrojtur në Rezervatin Rrushkull 584 ha dhe zonës 268 ha të Gjirit të Lalëzit, ku përparësi do t’i vihet zhvillimit turistik, që do të mbeten nën varësinë e kësaj drejtorie e gjithë sipërfaqja tjetër është duke kaluar në pronësi të njësive të pushtetit vendor. Ndërsa përsa i përket gjuetisë ai shprehet se në rrethin e Durrësit janë gjithsej 5 zona të lira gjuetie me sipërfaqe 28.366 ha, ndërsa zona e ndaluar e gjuetisë është zonë e mbrojtur dhe arrin një sipërfaqe prej 584 ha.