*Në aktivitet asnjë nga 4 ish studentët e grevës së urisë, Igli Cara, Gazmend Oketa, Eduart Ndreu dhe Edmond Islamaj. Ja fotot e aktivitetit
8dhjetor 2015 – Katër kanë qenë personazhet e Durrësit, dëshmitarë okularë të protestës së 8 Dhjetorit të bërë nga rinia studentore në 1990. Më pas të katër këta personazhe, të njohur në jetën publike e politike të mëpasshme jo vetëm në atë lokale në Durrës, ishin pjesëtarë edhe të grevës së urisë që zhvilluan Studentët e Dhjetorit, 25 vjet më parë.
Igli Cara aktualisht deputet i PD-së, ish-kreu i PD-së së Durrësit, Gazmend Oketa, ish-deputeti i PD-së, aktualisht kreu i FRD-së, Eduart Ndreu, ish-drejtor i Autoritetit Portual të Durrësit dhe Edmond Islamaj, aktualisht gjyqtar në Gjykatën e Lartë, ishin 4 dhjetoristët e Durrësit, që munguan pikërisht në aktivitetin e zhvilluar dy ditë më parë në Durrës, pikërisht për datën e shënuar të 8 dhjetorit 1990.
Kreu i PD-së së Durrësit Osman Stafa dhe kreu i Grupimit “Dhjetori ‘90”, Bislim Ahmetaj, zhvilluan në Durrës aktivitetin përkujtimor “Dhjetori 90 afër dhe larg” në përkujtim të 25-vjetorit të rrëzimit të diktaturës më të egër në Evropë.
Pjesëmarrësit në këtë aktivitet ishin kryesisht personazhe që vetëm me lëvizjen studentore nuk kishin të bënin e aq më pak me grevën e urisë. Durrës Lajm kontaktoi me deputetin Igli Cara, i cili tha se të dielën, më 6 dhjetor kur u organizua aktiviteti, kishte një takim tjetër në Tiranë, në selinë e PD-së. Megjithatë, ai tha se nuk kishte marrë asnjë ftesë për të qenë i pranishëm në aktivitetin e dhjetoristëve të ‘90 të zhvilluar në pallatin e kulturës “Aleksandër Moisiu” në Durrës.
Edhe Oketa, një figurë shumë bindëse dikur në PD është i përjashtuar pas kalimit në FRPD, megjithëse kjo nuk e ndryshon aspak faktin dhe kontributin e tij në lëvizjen studentore. Asnjë prej atyre që përfaqësuan Durrësin, nuk ishin në këtë takim.
“Nuk e dimë nëse ishte neglizhencë apo organizimi i keq i strukturave që nuk ishin të pranishëm 4 dhjetoristët e Durrës, por në fakt ndodheshin në aktivitet persona që nuk kanë asnjë lidhje me dhjetoristët, përkundrazi, qëndronin fort në krahun tjetër e sot bëhen pjesë e këtij grupimi”, tha një prej demokratëve pjesëmarrës.
Në këtë aktivitet u shpërndanë 45 certifikata të mirënjohjes për themeluesit e PD-së në Durrës, me emra të nxjerra nga listat arkivore të Partisë Demokratike. Se mbi çfarë bazash dhe kriteresh janë përzgjedhur emrat, askush nuk di të thotë, por demokratët janë shumë skeptikë në lidhje me këtë. Sipas tyre, duhet të publikohen emrat e dekoruar, sepse nuk është çudi që midis tyre mund të ketë edhe ish-hetues apo spiunë të sigurimit që mund të kenë kaluar me PD, vitet e fundit.
/portali DurrësLajm/