Jo vetëm politika, por edhe feja I ka kushtuar rëndësinë e duhur 28 nëntorit, ditës së pavarësisë së Shqipërisë.

Me rastin e 111-vjetorit të pavarësisë, në kishën ortodokse “Apostull Pavli dhe shën Asti” në Durrës është mbajtur një meshë e veçantë, që i kushtohet pikërisht kësaj date të lavdishme në historinë e vendit tonë. Gjatë meshës, nuk mund të mos vihej re prezenca e simboleve kombëtare si flamuri kuq e zi apo këndimi i himnit kombëtar nga besimtarët.

Shërbesa e Dhoksologjisë së Flamurit është një ritual fetar, që mbahet çdo 28 nëntor dhe siç thotë at Spiro Qosja bëhet në respekt të kontributit dhe sakrificës që përfaqësuesit e vilajeteve shqiptare bënë 111 vite më parë, kur së bashku me plakun e Vlorës, Ismail Qemali ngritën flamurin kuq e zi dhe shpallën pavarësinë e vendit nga perandoria osmane.

28 nëntori i vitit 1912 është nga data më të rëndësishme për të gjithë shqiptarët brenda dhe jashtë trojeve amtare.