TIRANE – Dhoma Kombëtare e Avokatisë ka reaguar për të sqaruar opinionin publik, në lidhje me marrëdhëniet klient-avokat për tarifat e shërbimit. Reagimi vjen një ditë pasi biznesmeni pakistanez Zafar Asnar foli në një intervistë televizive për lidhjet e tij me zyrën avokatore të vajzës së kryeministrit Berisha,

Përmes një deklarate të shpërndarë për mediat, kryetari i Dhomës Kombëtare të Avokatisë së Shqipërisë, Maksim Haxhia, nënvizon se në bazë të ligjit shpërblimi i avokatit për punën mund të bëhet në disa mënyra. Sipas Haxhisë, shpërblimi për avokatin, në rast se bazohet në një marrëveshje mes palëve, nuk ka kufizime, por është vetëm shprehje e vullnetit.

“Ligji nr 9109 date 23.07.2007, “Për ushtrimin e profesionit të avokatit në Republikën e Shqipërisë” i ndryshuar, në nenin 11 të tij, pika 1, “germa a” ku bën fjalë për mënyrën e shpërblimit të avokatit, përcakton se shpërblimi i avokatit për punën e kryer përcaktohet me disa mënyra, ndër të cilat më e praktikuara është ajo me marrëveshje ndërmjet tij dhe klientit. Gjithashtu në nenin 12 të po këtij ligji, pika 2 përcaktohet se shpërblimi në përqindje, i parallogaritur ose jo, mund të paguhet vetëm kur është parashikuar në marrëveshje ndërmjet avokatit dhe klientit të tij, për rastin e përfaqësimit të suksesshëm të çështjes… Në të gjitha marrëdhëniet e shpërblimit lidhur me shpërblimin e ndihmës ligjore të dhënë nga avokati, në çdo rast dhe kurdoherë prevalon marrëveshja e bërë midis klientit dhe avokatit, marrëveshje e cila nuk njeh kufizime në lidhje me tarifat e shërbimit dhe është vetëm shprehje vullneti midis palëve, klient-avokat. Vetëm nëse, kur midis klientit dhe avokatit mungon një marrëveshje paraprake në lidhje me sasinë, formën dhe mënyrën e shpërblimit, ligji parashikon aplikimin e tarifave minimale të përcaktuara me vendim të përbashkët të Ministrit të Drejtësisë dhe Dhomës Kombëtare të Avokatisë”,- theksohet në deklaratë.