Baleti modern “Dhoma e Kuqe”, e koreografit Igor Kirov, do të ngjitet në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit në Tiranë më 2 korrik, nga trupa e baletit të Teatrit të Maqedonisë.
Libreti i baletit modern “Dhoma e kuqe” është frymëzuar nga një kompozim i Franc Schubert për kuartet harqesh i njohur me titullin “Vdekja dhe vajza” .Baleti me muzikë të Franc Zhubert ka koreograf Igor Kirov, libert Sasho Dimoski, skenografia Maria Veterovska, kostumograf Aleksandër Noshpal.
Duke e marrë pikënisjen pikërisht nga kjo pjesë, historia zhvillohet më tej: Vdekja e etur për pak dashuri vjen tek njerëzit dhe dashurohet me profetin, të cilit i shkëput të gjitha fijet me botën tokësore dhe e merr në botën e përtejme, në botën e dhomës së kuqe.
Kjo ngjarje në jetën e profetit e ndan fabulën në dy pjesë: në atë të kërkimit për profetin dhe në atë të përpjekjeve për ta rikthyer në botën e të gjallëve…kështu vajza fillon udhëtimin e saj fillestar. Në nëntokë, vajza e gjen profetin, rifiton dashurinë e tij dhe së bashku kthehen në botën e të gjallëve, duke e lënë vdekjen në vetminë dhe zbrazëtinë e botës së vet, në kërkim të unitetit.
Personazhet e tjerë prezantohen ndërkohë para publikut në formën e gjendjeve dhe ndjenjave. Ata përfaqësojnë kontrastin: tokësorja dhe e përtejmja…Kështu “dhoma e kuqe” nga njëra anë kthehet në një skenë e dashurisë së pafundme për unitet dhe përkatësi dhe nga ana tjetër tregon për vetminë si e vetmja formë e përkatësisë absolute që përfaqësohet me anë të gjuhës së një trupi në krizë.





