Dhoma Kombëtare e Zejtarisë dhe Biznes Albania po i kushton një vëmendje të veçantë zhvillimit të profesioneve dhe stimulimit të profesionistëve në fushën e Zejtarisë.

Kreu i kësaj dhome, Luan Bregasi, është ndalur në Durrës në një prej bizneseve të prodhimit të bukës siç është firma “Teuta”, me eksperiencë të gjatë në treg e me histori suksesi, duke certifikuar me titullin mjeshtër Alfred Dimçen, i cili u vlerësua pas 26 vitesh pune në prodhimin e bukës.

Luan Bregasi tha se aktiviteti ka si qëllim të promovojë, të nxitë dhe të stimulojë profesionin e bukur të prodhimit të bukës, pastiçerisë dhe zejtarisë.

“Nuk është thjesht një dekoratë, është një nxitje dhe përkrahje për zanatet që ekonomia shqiptare ka aq shumë nevojë dhe në misionin e saj Dhoma e Zejtarisë ka projektuar qartazi që jo këtë vit, por edhe në të ardhmen, do të përkrahim, stimulojmë  dhe certifikojmë të gjthë profesionet dhe profesionistët më të mirë që ka vendi”, tha Bregasi për DurrësLajm”.

Në aktivitet morën pjesë zejtarë e prodhues buke nga rrethe të ndryshme të vendit. Certifikimi i profesionistëve nga Dhoma Kombëtare e Zejtarëve të Shqipërisë me titullin e lartë “Mjeshër në fushën e prodhimit të bukës”, njihet në institucionet e Bashkimit Europian sepse Dhoma Kombëtare e Zejtarisë ka bërë marrëveshje me Dhomën Gjermane dhe ky titull ka vlerë në çdo vend të Bashkimit Europian.

Alfred Dimçe mori titullin “Mjeshtër” nga Dhoma Kombëtare e Zejtarisë, pasi ai punon në këtë fushë prej 26 vjetësh.

“Zanati është i bukur, duhet që të bëhet me pasion për të arritur aty ku dëshiron”, thotë ai.

Për të mirëpritur kolegët nga qytete të ndryshme të vendit, të cilët i dhanë edhe titullin “Mjeshtër”, Alfredi ka gatuar disa lloje bukësh speciale të cilat janë degustuar me shumë kënaqësi nga të pranishmit.

Zejtarët në vendin tonë i përkasin fushave të ndryshme e janë trashëguar brez pas brezi kryesisht, në biznese familjare.