TIRANE, 19 qershor 2013 – “Duam që të lirohet djali dhe të vijë tek fëmijët e tij”. Këtë kërkon familja e 40-vjeçarit Durim (Kostandin) Zemzatja, i cili prej një muaji e gjysmë qëndron në qeli, i akuzuar për dhunë në familje.

Nëna e tij, Servetja, përmes “Gazetës Shqiptare” kërkon që çështja e djalit të saj të marrë zgjidhje sa më shpejt dhe ai të kthehet tek fëmijët e tij. Por, problemi nuk është vetëm ky.

Babai, Myrtezani dhe nëna e 40-vjeçarit, pohojnë se prej ditës që është arrestuar djali i tyre, nusja e tij, Rudina ka braktisur fëmijët e saj.

Policia e Komisariatit nr.5 ka nisur procedimin në gjendje të lirë për 36-vjeçaren, e cila ka braktisur fëmijët dhe është larguar nga shtëpia e bashkëshortit të saj. 
 

Kur është arrestuar djali juaj? 

Djalin e kanë arrestuar në 9 maj. U bë një muaj e gjysmë që ai rri në qeli. Fëmijët e tij dhe ne si prindër kemi nevojë që ai të lirohet dhe të mos qëndrojë më atje ku është, se nuk ka bërë asgjë. 
 

Pse e kanë arrestuar djalin tuaj? 

Historia është shumë e gjatë dhe e komplikuar. Gjithçka ka ndodhur pas konflikteve të vazhdueshme që djali im ka pasur me bashkëshorten e tij. Ajo gjithmonë lajmëronte policinë dhe i thoshte se “më rreh burri”, derisa ai një ditë vërtet e qëlloi me një shpullë, por nuk kishte faj, se ajo i vuri thonjtë në fyt. Dhe që prej asaj dite, djali im ndodhet në qeli. 
 

Si kanë lindur konfliktet mes nuses dhe djalit tuaj? 

Ne kemi jetuar si familje në Greqi. Kemi 2 vite që jemi kthyer dhe bashkë me ne, erdhi dhe familja e djalit. Durimi u kthye në Shqipëri bashkë me gruan e tij, Rudinën, dhe 5 fëmijët e tyre. Kur erdhën këtu, hapën një lokal dhe bilardo, që nuk është se u ecte shumë. Ata të dy që në Greqi kanë pasur konflikte, sepse sa herë që ziheshin, ajo i nxirrte thikën djalit, edhe në sy të fëmijëve. Por, kur erdhën këtu, zënkat e tyre u shtuan. Nusja i rrihte fëmijët dhe sa herë që Durimi i thoshte “pse i rreh”, ajo e kërcënonte, madje thoshte: “Si nuk vdes njëri prej këtyre, që të pakësohen”. Sa herë që ziheshin, ajo lajmëronte policinë dhe u thoshte që “më rreh burri”. Një herë, unë bashkë me burrin e morëm djalin e tyre dhe e çuam në spital për ta vizituar, sepse erdhi dhe na tha që ishte sëmurë. Ajo ishte zënë me Durimin dhe kishte lajmëruar policinë, duke u thënë se ne i kishim vjedhur djalin. Po ne e kishim nipin tonë, si mund ta vidhnim ne?! Aq më tepër që fëmijët e saj janë rritur më tepër tek unë, sepse kishin frikë nga ajo, se i rrihte për gjënë më të vogël. Nuk më harrohet kur më thirri djali nga ballkoni dhe më tha në mes të natës që, “mami do të therë babin”. Unë nuk mund të harroj kur ajo më ka goditur edhe mua, por unë nuk i kam thënë djalit, se nuk doja të futeshin në sherr për mua. 
 

Po herën e fundit, kur u arrestua djali juaj, si ndodhi? 

Kishin ardhur prindërit e nuses dhe na thirri djali edhe neve. Babai i nuses na tha që do e merrte Rudinën me vete dhe djali i tha, “nëse e merr, mos e sill më”. Këtu nusja u çua dhe në sy të të gjithëve i hodhi duart në fyt djalit dhe Durimi këtu e goditi me shpullë. U çua babai i saj dhe e goditi me karrige djalin në dorë, aq sa ia operuam gishtin më vonë. Por, ata lajmëruan policinë dhe djalin tim e akuzuan për dhunë në familje. Pas arrestimit të djalit, ajo ka ikur, ka kyçur shtëpinë, lokalin, ka marrë me vete dy vajzat e vogla dhe ka lënë në rrugë tre fëmijët e tjerë, djalin 13 vjeç dhe vajzat 10 dhe 8 vjeçe. Unë i mora në shtëpi, edhe rroba nuk u kishte lënë. Jemi në hall të madh, nuk e di si do i vejë halli këtij muhabeti. 
 

Po djali juaj, nuk ka menduar ndonjëherë t’i japë fund kësaj martese? 

Po, ai ka dashur disa herë, por unë me burrin, Myrtezanë, e kemi ndaluar dhe ai për hir të fëmijëve ka ndryshuar mendje. Sepse, nuk mund të shtyhet një jetë me kërcënime, sa herë që ziheshin ajo i nxirrte thikën. E di gjithë lagjja këtë histori, sepse ajo dilte në lagje dhe kërkonte në dyqane lekë borxh, sepse donte të shkonte tek familja e saj çdo dy javë, kur nuk kishin as lekë. Ajo i kishte thënë shpesh djalit që, “një ditë do të të fus në burg unë ty”, dhe e bëri vërtet.