Dhuna digjitale po kthehet në një nga format më shqetësuese të dhunës në shoqëri.

Përmes mesazheve, rrjeteve sociale dhe publikimit të paautorizuar të fotove apo videove, shumë gra dhe vajza po bëhen viktima të shantazhit dhe presionit psikologjik.

Koordinatori për dhunën në familje, Arbi Basho, thotë se vetëm në Pogradec, për vitin 2025, janë lëshuar 43 urdhra mbrojtjeje, dhe 20 prej tyre lidhen me dhunën digjitale.

Ai kërkon që kjo formë dhune të përfshihet zyrtarisht në urdhrat e mbrojtjes, pasi shpeshherë fshihet dhe është e vështirë të provohet.

“Dhuna digjitale është bërë problem shumë shqetësues në shoqërinë tonë. Është dhunë e mbyllur dhe duhet shumë forcë për ta përballuar dhe denoncuar. Nga dhuna fizike personi mund të shpëtojë dhe të largohet nga banesa, ndërsa dhuna digjitale realizohet nëpërmjet mesazheve dhe platformave elektronike dhe viktima nuk mund të shpëtojë. Kërcënime, mesazhe, publikimi i videove dhe fotove etj. Për vitin 2025 vetëm në Pogradec janë 43 urdhra mbrojtjeje dhe 20 prej tyre lidhen me dhunën digjitale të publikuar në mënyrë të paautorizuar”, thotë Arbi Basho, Koordinatori për dhunën në familje.

Psikologia Maria Dojce thekson se dhuna digjitale krijon presion të madh emocional, sidomos tek vajzat e reja.

Shantazhi me foto dhe video, komentet denigruese dhe sulmet virtuale po shkaktojnë pasoja të rënda psikologjike dhe, në disa raste, mund të çojnë edhe në fatalitete.

“Është dhunë dhe si çdo dhunë shkakton presion psikologjik shumë të fortë, sidomos për vajzat, pasi luhet me imazhin e tyre dhe kjo mund të çojë edhe në fatalitete. Shumë vajza nuk mund ta durojnë presionin virtual, që i shkatërron psikologjikisht. Por ndodh edhe tek djemtë. Kohët e fundit dhuna në rrjetet sociale është bërë shumë agresive; rrjetet nuk përdoren më për qëllimet për të cilat janë krijuar, por vetëm për shantazhe dhe ndërhyrje në jetën personale të të tjerëve”, thotë psikologia Maria Dojce.

Ekspertët kërkojnë përmirësim të kuadrit ligjor dhe ndërgjegjësim më të madh për mbrojtjen në hapësirat online, pasi dhuna digjitale po bëhet gjithnjë e më e përhapur dhe agresive. /Euronews