4 dhjetor 2014 –  Në një kohë kur Kategoria Superiore po shijon një nga sezonet e saj më të suksesshme për sa i përket rivalitetit, ndërkohë që vijon lufta dhe përpjekjet për të eleminuar krejtësisht dhe dhunën që është shfaqur deri në këto 14 javë të para në vetëm dy episode, fenomeni i frikshëm po kërcënon seriozisht kategoritë inferiore dhe ato të moshave. Episodi më i freskët vjen nga Kategoria e Tretë, ku ndeshja mes Djelmnia Shkodrane dhe Ada B është ndërprerë si pasojë e një sherri masiv mes lojtarëve të të dyja skuadrave dhe për qetësimin e gjakrave është dashur ndërhyrja e policisë. Ngjarja ndodhi në fushën e Kamzës, aty ku vetëm pak ditë më parë në ndeshjen e vlefshme të moshave U-19 të Kategorisë së Parë mes Shkëndija B e Tiranës dhe Brians u dëshmuan sërish skenat e dhunës dhe përleshjet masive mes fëmijëve lojtarë e prindërve duke sjellë dhe shoqërimin e disa prej tyre në Komisariat.

Ngjarja u pasua me dënime të ashpra nga Komisioni i Disiplinës, që ndëshkoi gjithashtu me një pezullim prej 5 ndeshjesh edhe futbollistin e Mamurrasit, Endri Lalaj i cili goditi futbollistin e Tërbunit, Senad Lekaj në ndeshjen e vlefshme për Kategorinë e Parë, ndërkohë që padyshim nuk mund të lihet pa u përmendur edhe rasti i takimit të 17-vjeçarëve ku gjatë ndeshjes mes Partizanit dhe Olimpikut futbollisti Markovanvasten Cema goditi me grusht arbitrin kryesor të sfidës. Siç mund të konstatohet lehtësisht frekuenca e dhunës vjen në rritje, një faktor shqetësues ky për Kategoritë Inferiore dhe akoma më tepër në ato të moshave ku principet e fair-play përbëjnë dhe bazën e formimit të një futbollisti, një fenomen që kërkon ndërhyrjen e duhur nga të gjitha organet kompetente pasi futbolli nuk është vetëm Kategoria Superiore.