Gazetari i Report TV dhe Shqiptarja.com, Adriatik Doçi, është sulmuar fizikisht më 13 nëntor nga persona të paidentifikuar në Tiranë. Doçi është ndjekur nga disa persona dhe është goditur nga pas me sende të forta, shumë pranë banesës së tij, në rrugën “Pashko Vasa”, ndërsa gazetari ka denoncuar sulmin në Polici.
Doçi deklaroi se është sulmuar papritur nga prapa dhe se nuk ka mundur të identifikojë se cilët janë autorët e sulmit, por beson se sulmi lidhet drejtpërdrejt me punën e tij pasi ka raportuar për raste të korrupsionit që kanë të bëjnë me ish-funksionarë publikë.
“Mirënjohje qindra miqve dhe kolegëve që u solidarizuan dhe dënuan sulmin fizik ndaj meje këtë të diel. Nuk e shoh vetëm si një incident apo dramë personale, por edhe si një përpjekje për të heshtur raportimin tim dhe si sulm ndaj medias në tërësi. Personalisht nuk kam marrë në konsideratë dhe nuk do të marr në konsideratë kurrë asnjë mesazh dhune, force e shantazhi për të më mbajtur të heshtur. Koha do ta tregojë”, tha Doci.
Përfaqësuesja e Rrjetit SafeJournalists në Shqipëri, Blerjana Bino, tha se është thelbësore që autoritetet të hetojnë me shpejtësi këtë rast dhe të nxjerrin autorët para drejtësisë.
“Në Shqipëri kemi nevojë për masa më të mira mbrojtëse për gazetarët e sulmuar”, theksoi Bino.
Rrjeti SafeJournalists, që përfaqëson më shumë se 8,200 profesionistë të medias në Ballkanin Perëndimor, dënon dhunën fizike dhe thekson se puna gazetareske nuk duhet të jetë kurrë arsye për një sulm kundër një gazetari. Gjithashtu u bën thirrje autoriteteve kompetente që të identifikojnë me kohë dhe të sanksionojnë në mënyrë adekuate autorët.
“Rrjeti SafeJournalists do të informojë palët e interesuara përkatëse kombëtare dhe ndërkombëtare për këtë rast. Çdo sulm ndaj gazetarëve është sulm ndaj interesit publik, demokracisë dhe të drejtave të të gjithë qytetarëve”, thuhet në deklaratën e Rrjetit.