TIRANE, 6 dhjetor 2013 – Angazhim total ne parandalimin e dhunes ndaj grave e vajzave dhe ndihme ligjore falas per viktimat e kesaj dhune ka premtuar kryeministri Edi Rama gjate fjales se tij ne konferencen “Aktivizim kunder dhunes ndaj grave”.
Rama kërkoi bashkëpunimin e të gjithëve, në mënyrë që siç tha ai, t’i bëhet ballë kësaj sfide të gjerë e komplekse që lidhet me një trashëgimi të shekujve më parë.
“Sot për herë të parë çështja e dhunës ndaj vajzave dhe grave adresohet si një problem jo vetëm i tyre dhe për herë të parë kjo çështje shikohet në aspektin e detyrimit të burrave e për tu përfshirë në një beteje që nuk është beteja e viktimave të dhunës por është beteja e të gjithë atyre që kanë detyrimin që të bëhen bashkë për ta penguar dhunë”- tha Rama.
Ai deklaroi se qeveria do të jetë këmbëngulëse për të vënë në shërbim të grave dhe vajzave, viktima të dhunës, ndihmë ligjore falas.
“Do t’i japim ndihmës ekonomike atë vlerë, që ajo sado e pakët në shumë, humbet rrugës nga kryefamiljarë të papunë e të dëshpëruar e përdorin këtë ndihmë për alkool apo për bixhoz. Plagë këto të një pjese të shoqërisë që për shkak të varfërisë është lehtësisht e prekshme prej tyre. Kalimi i ndihmës ekonomike si përgjegjësi e gruas në familje jo vetëm do të rrisë efektshmërinë e përdorimit të kësaj ndihme në funksion të ushqimit të familjes por të do rrisë edhe peshën e gruas.”-tha ai.





