Shkarkimi i mësuesit, pavarësisht 25 vjetëve punë në këtë shkollë, ka ardhur i menjëhershëm nga drejtoresha e shkollës Hëna Golemi. “Dhuna që evidentohet në video është e dukshme dhe e dënueshme nga të gjithë ne. Nxënësit mund të na ofendojnë edhe më shumë se kaq, edhe me fjalë më të rënda. Mund të na thonë shumë gjëra, por ne vetëm duhet t’i edukojmë”, ky është reagimi i drejtoreshës së shkollës 9-vjeçare të Shkozetit, “Hasan Koçi”.
“Këshilli disiplinor i shkollës vendosi masën disiplinore paralajmërim për largim nga puna. Unë si drejtoreshë, vendosa zgjidhjen e kontratës së punës të mësuesit Flamur Paja”, thotë drejtoresha.
Por duket se shkolla vijon punën me dy standarde. Nxënësi është dhunuar, është dëgjuar ai, janë dëgjuar prindërit e tij, por mësuesi me eksperiencë 25-vjeçare nuk është dëgjuar. Ai është pezulluar nga mësimi, dhe pak orë më vonë ka marrë largimin nga puna.
Kjo ngjarje tregon se sa të mëdha janë problemet në shkollat tona, dhe si funksionojnë ato.
K.H.