Kryetarja e Komisionit Parlamentar për Median dhe të Drejtat e Njeriut, Jorida Tabaku, ka reaguar ashpër ndaj dhunës së ushtruar nga policia ndaj protestuesve përpara Kryeministrisë, duke e cilësuar atë si një akt të papranueshëm.

Në një postim publik, Tabaku thekson se protesta është një e drejtë kushtetuese dhe jo një krim, ndërsa qytetarët që prej ditësh protestojnë paqësisht nuk kanë kërcënuar dhe as kanë dhunuar askënd, por kanë ushtruar një të drejtë themelore të garantuar nga Kushtetuta.

“Protesta nuk është krim. Është e drejtë kushtetuese. Qytetarët që protestojnë paqësisht përpara Kryeministrisë nuk kanë kërcënuar askënd. Nuk kanë dhunuar askënd. Nuk kanë shkelur ligjin. Shteti ishte ai që reagoi me dhunë.

Jo sepse u provokua. Por sepse u tremb. Në Europë, policia mbron protestën. Këtu, policia u përdor kundër qytetarëve. Kjo nuk është Europë”, shkruan ajo.

Duke paralajmëruar pasoja serioze për shtetin e së drejtës, Kryetarja e Komisionit për Median dhe të Drejtat e Njeriut thekson se kur pushteti ngre dorë kundër qytetarëve, shteti ligjor pushon së funksionuari dhe vendi rrëshqet drejt një modeli autoritar.

“Kur pushteti godet qytetarët që flasin, shteti ligjor pushon së ekzistuari. Ajo që mbetet është një regjim i dobët, i frikësuar, i kapur nga korrupsioni.

Një pushtet që rreh qytetarët nuk është i fortë. Është i dëshpëruar”, shprehet deputetja e PD-së.