Edhe punonjëset e policisë, viktima të dhunës në çift. Dhunues dhe e dhunuar brenda trupës policore. Një histori dashurie që vjen nga radhët e policisë si reflektim i një shoqërie të dhunshme që në gjenezë. Përdorimit të dhunës, për të mbajtur fillimisht nën kontroll partneren e më pas detyruar të rikthehet në lidhjen e ndërprerë, nuk i ka shpëtuar as një oficer i policisë së kryeqytetit, që normalisht pritet të ndërhyjë dhe mbrojë viktimat e dhunës. 

Mesditën e së mërkurës, një oficer i komisariatit të policisë nr.1 në Tiranë është arrestuar me vendim gjykate nën akuzën e përndjekjes së ish të dashurës së tij, efektive policie në komisariatin e Krujës. I riu Lumian Meta nuk e ka pranuar vendimin e së dashurës për të ndërprerë lidhjen, për shkak të dhunës që ai ushtronte mbi të, dhe ka vijuar ta përndjekë dhe dhunojë bashkëstudenten e Akademisë së Policisë. Qëllimi, rilidhja me të. Pjesë e skenave denigruese ndaj dinjitetit dhe moralit të efektives së policisë së Krujës kanë qenë dhe kolegë të saj. Kjo situatë e përsëritur ka vënë në lëvizje Shërbimin e Çështjeve të Brendshme në polici. 

Arrest me burg Metës

Me kërkesë të Prokurorisë së Krujës, Gjykata ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për Lumian Metën, me detyrë oficer i patrullës policore të Komisariatit nr.1 në Tiranë, i dyshuar për veprën penale të “Përndjekjes” në dëm të ish-të dashurës së tij, S. B, gjithashtu efektive policie në Komisariatin e Krujës. Vendimi i Gjykatës është zbatuar nga ana e oficerëve të Shërbimit të Çështjeve të Brendshme.

Sipas Prokurorisë së Përgjithshme, hetimi nga Prokuroria e Krujës nisi bazuar në një material referues të Shërbimit për Çështje të Brendshme që mban datën 14 qershor. Nga hetimet rezultoi se i dyshuari nuk ka pranuar faktin e ndërprerjes së marrëdhënies intime me të dëmtuarën dhe e ka përndjekur e ka ushtruar dhunë fizike ndaj saj në disa raste të përsëritura. Dy të rinjtë kanë nisur një lidhje dashurie në vitin 2014, gjatë studimeve në Akademinë e Policisë, lidhje që ka vijuar deri në janar të vitit 2016. Në këtë muaj, e dëmtuara ka refuzuar të vijojë lidhjen intime, për shkak se, sipas saj, i dyshuari ushtronte dhunë sistematike. Ashtu si shumë viktima të tjera të dhunës nga partneri, qoftë ky i dashuri, bashkëjetuesi, bashkëshorti apo ish-bashkëshorti, edhe oficerja e policisë së Krujës ka kaluar nëpër kalvarin e përndjekjes, dhunës dhe kërcënimit sistematik, me qëllim që lidhja e tyre të rifillonte. “Ajo nuk ka pranuar në asnjë rast dhe kjo sjellje e ka shndërruar në objekt dhune nga ish- i dashuri. Në disa raste, dhuna psikologjike ndaj së dëmtuarës ka ndodhur edhe në praninë e kolegëve të tjerë të policisë. Në këto kushte, Prokuroria e Krujës ka krijuar dyshime të arsyeshme se shtetasi Lumian Meta ka konsumuar elementët e veprës penale “Përndjekja”. Për këtë arsye, nga ana e Prokurorisë së Krujës, u kërkua caktimin e masës së sigurisë “arrest në burg”, e cila u pranua nga Gjykata e Krujës dhe ai u arrestua këtë të mërkurë.