Dhuna në familje mbetet një fenomen mjaft shqetësues në shoqërinë shqiptare, veçanërisht në qarkun e Durrësit, që vitin e kaluar regjistronte thuajse çdo ditë raste të tilla që denoncoheshin në 3 komisariatet; Durrës, Shijak e Krujë.

Në raportin e saj ditor, Policia e Shtetit njofton se dy raste dhune në familje janë regjistruar në Durrës në 24 orët e fundit, ku një person është arrestuar, ndërsa një tjetër po ndiqet penalisht në gjendje të lirë.

Ashtu siç është bërë tashmë e zakonshme, policia nuk jep as identitetin e të arrestuarit dhe as detaje mbi ngjarjen e rëndë. Ndërsa, në të gjithë vendin 3 persona janë arrestuar për veprën penale “Dhunë në familje” dhe një tjetër është shpallur në kërkim.

“Janë evidentuar 6 raste të “Dhunës në familje”, 2 raste në qarkun Tiranë me 1 autor të arrestuar dhe 1 në gjendje të lirë; 2 raste në qarkun Durrës me 1 autor të arrestuar dhe 1 në gjendje të lirë; 1 rast në qarkun Korçë ku autori është arrestuar dhe 1 rast në qarkun Elbasan ku autori është shpallur në kërkim. Gjithashtu janë plotësuar 12 kërkesë padi për urdhër mbrojtje të menjëhershëm”,- njofton Policia e Shtetit.