Shtohen dita-ditës rastet e dhunës në familje. Çdo ditë në drejtorinë e Policisë së Durrësit mbërrijnë me dhjetëra denoncime, për dhunën e ushtruar në familje nga baballarët, bashkëshortët apo djemtë. Në pjesën më të madhe të rasteve viktimat e kësaj dhune janë persona të seksit femër. Vetëm gjatë kësaj jave tre raste të ndryshme dhune janë denoncuar pranë organeve të rendit në qytetin e Durrësit.
Tri rastet e fundit janë regjistruar në tri familje të ndryshme dhe viktimë e tyre kanë qenë një vajzë e re dhe dy gra në moshë që janë dhunuar fizikisht dhe psikologjikisht nga djemtë dhe bashkëshortët e tyre. Kështu rasti i parë përket një familjeje në Harapaj, ku babai dhunonte sistematikisht vajzën e tij 21-vjeçare.
Policia tha se e ka marrë në mbrojtje vajzën, pasi pasi babai i saj, shtetasi B.V., 51 vjeç, ka ushtruar dhunë fizike e psikologjike ndaj saj në mënyrë të vazhdueshme. Ndërkohë një 55-vjeçare nga Durrësi ka denoncuar bashkëshortin, pasi sipas saj ai ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike. Edhe në këtë rast efektivat e rendit kanë lëshuar urdhër mbrojtjeje për gruan që dhunohej nga bashkëshorti i saj shtetasi A. P., 59 vjeç.
Ndërkaq policia raporton se ka arrestuar shtetasin Olseti Mujka, 37 vjeç, banues në Shijak i cili dyshohet “se ka ushtruar dhunë fizike duke goditur me grushta nënën e tij 64-vjeçare”. Rasti në fjalë po hetohet nga efektivët e rendit dhe materialet për këtë çështje i kanë kaluar për hetime të mëtejshme prokurorisë së rrethit Durrës.