Ministria e Punëve të Brendshme dhe Prokuroria Publike vazhdojnë hetimin e ngjarjeve të dhunshme të së enjtes së kaluar në Kuvend dhe sipas informacioneve të deritanishme ndaj 22 personave janë ngritur kallëzime penale, 5 prej tyre i është caktuar masa e paraburgimit, 1 është në arrest shtëpiak, dy të tjerëve i është caktuar masa e kujdesit të veçantë ndërsa të tjerët janë në kërkim e sipër kurse pritet t’i shtohen edhe persona të tjerë përfshirë edhe organizatorët kryesor që ende janë në liri.
Siç bëhet e ditur, në prokurori kanë arritur edhe disa raporte të veçanta nga Ministria e Brendshme për hetimin e përgjegjësisë së tre deputetëve të VMRO-së që besohet t’i kenë hapur dyert e Kuvendit protestuesve për të hyrë brenda këtij institucioni ndërsa njëri prej tyre mendohet që të ketë udhëzuar protestuesit për tek salla e konferencave për media ku ndodheshin deputetët e LSDM-së dhe të partive shqiptare, të cilët u dhunuan mizorisht nga protestuesit.
Në shënjestër të hetimeve janë edhe struktura tjera të MPB-së që mendohet të kenë bashkëpunuar me protestuesit apo edhe të kenë marrë pjesë në mënyrë të drejtpërdrejt në dhunë. Se strukturat e MPB-së nuk ke kanë kryer detyrën e konfirmoi edhe vet ministri Agim Nuhiu në paraqitjen e raportit hetues një ditë më parë.
“Ajo që ndodhi të enjten në Kuvend ishte një e keqe e madhe. Dëshiroj të njoftoj opinionin se kam formuar grup punues i përbërë nga njerëz profesionistë në MPB, i cili duhet të konfirmojnë se a kanë punuar në pajtueshmëri me proceduratShtabi operativ dhe njësitë tjera organizative në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Kthim prapa nuk ka. Gjërat duhet zbardhur deri në fund dhe secili do të përgjigjet për veprimet e veta”, ka deklaruar ministri Nuhiu duke njoftuar nisjen e procedurës për shkarkimin e Mitko Çackovit nga detyra e drejtorit të drejtorisë së siguri dhe kundërzbulim.
Njohësit e çështjeve të sigurisë thotë se pikërisht Çavokov është përgjegjës kryesor për shkaktimin e dhunës edhe pse i njëjti u shfajësua duke thënë se për incidentin në Kuvend ishte njoftuar me dy orë vonesë pavarësisht se ai kryesonte shtabin operativ për ndjekjen e protestave.
“Të dhënat që posedojmë, thuhet se individë të MPB-së, të policisë sekrete dhe strukturave tjera të sigurisë kanë marrë pjesë në dhunë. Përgjegjësi duhet të ketë si politike ashtu edhe penale. Vlerësoj se Mitko Çavkov si shef i shtabit operativ duhej të ishte i pari i njoftuar mepushtimin e Kuvendit. Ai madje duhet të ishte i njoftuar apo të zbulonte planin e protestuesve për hyrjen me dhunë në Kuvend, por duket qartë se ai këtë jo vetëm që nuk e bëri por edhe ofroi logjistikë për veprën e tyre penale”, thotë Pavle Trajanov, ish-ministër i Punëve të Brendshme.
Njohësit e çështjeve juridike thonë se hetimet lidhur me ngjarjen e 27 prillit po zhvillohen me dinamikë të mirë, por vërejtja kryesore e tyre ka të bëjë me ndalimin e personave të përfshirë në dhunë.
Mirjana Najçevska, eksperte juridike dhe aktiviste për mbrojtjen e të drejtave të njeriut thotë se në liri ende janë organizatorët kryesor të dhunës së ushtruar mbi deputetëve dhe gazetarët në hapësirat e Kuvendit.
“Të gjithë ata që kanë nxitur, ata që e kanë udhëhequr dhunën dhe ata që në mënyrë direkte kanë marrë pjesë në aktet e dhunës duhet që sa më shpejt që të jetë e mundur që të largohen nga rruga apo të arrestohen që të mos kenë mundësi të përsëritin veprën”.
“Veç kësaj duhet që të vendoset edhe rendi sa i përket protestave në rrugë, ato duhet të parandalohen pasi paraqesin rrezik për jetën e njerëzve, në veçanti ata që i organizojnë e që mund të keqpërdorin masën jo vetëm për funksionimin normal të institucioneve por edhe për sulme të mundshme terroriste, siç patëm rastin të shohim të enjten e kaluar”, thotë Najçevska.
Sulmi i dhunshëm në Kuvend është dënuar nga i gjithë faktori ndërkombëtar duke kërkuar zbulimin e shpejtë të organizatorëve dhe pjesëmarrësve në dhunë dhe nxjerrjen e tyre para drejtësisë. Nga dhuna e ushtruar kanë pësuar shumë deputet ndërsa së rëndi ka pësuar Zijadin Sela nga Aleanca për Shqiptarët i cili ende po mbahet për trajtim mjekësor në spital. (REL)