Prokuroria Publike e Shkupit ka urdhëruar arrestimin e 15 personave të përfshirë në dhunën në Kuvendin e Maqedonisë, të enjten në mbrëmje, më 27 prill.

Fletarrestet janë lëshuar dhe sipas MPB-së, Policia është në ndjekje të këtyre personave, që besohet se kanë marrë pjesë drejtpërdrejt në dhunën kundër deputetëve dhe gazetarëve në Kuvend.

Nga dhuna janë lënduar mbi 10 deputetë ndërsa në gjendje më të rëndë lideri i partisë, Zoran Zaev, kandidat për kryeministër dhe Zijadin Sela nga Aleanca për Shqiptarët, i cili ende vazhdon të trajtohet në spital.

Mediat kanë raportuar se gjatë ushtrimit të dhunës dhe pushtimit të institucionit ligjvënës, Policia nuk kishte ndaluar asnjë person ndërsa janë publikuar edhe fotografi ku pjesëtarë të policisë shihen duke u përshëndetur me persona të caktuar nga grupi i protestuesve të dhunshëm, të cilët pa asnjë pengesë kishin hyrë në hapësirat e Kuvendit të Maqedonisë.