Presidenti i SHBA Donald Trump u takua dje me nxënës, prindër dhe mësues, të cilët kanë qenë dëshmitarë të disa vrasjeve nëpër shkolla dy dekadat e fundit. Takimi në Shtëpinë e Bardhë u përqëndrua në mënyrat për t’i bërë shkollat më të sigurta për nxënësit.
Presidenti premtoi të merrte në shqyrtim të gjitha idetë, duke përfshirë edhe disa jopopullore, të tilla si armatosja e mësuesve për t’iu përgjigjur më shpejt një sulmi me armë. Zlatica Hoke e Zërit të Amerikës njofton.
Presidenti Trump, Zëvendëspresidenti Mike Pence dhe Sekretarja e Arsimit Betsy DeVos dëgjuan dëshmi nga nxënësit që vetëm një javë më parë kishin humbur shokë, vëllezër apo motra si dhe mësues në një shkollë të mesme në Parkland, Florida, ku një ish-nxënës vrau 17 vetë.
“Kam humbur një shok që për mua ishte praktikisht vëlla. Erdha këtu për të përdorur zërin tim, sepse ai nuk mundet”, thotë një nxënës.
“Tani nuk është fjala vetëm për shkollën tonë por për gjithë Amerikën”, thotë një tjetër.
Prindërit që humbën fëmijët në incidente të rënda me armë gjatë viteve, u kujtuan zyrtarëve se nuk ka pasur përmirësime që nga masakra e vitit 1999 në Kolumbine dhe një tjetër pesë vjet më parë në Kënektikat ku shumica e viktimave ishin fëmijë gjashtë dhe shtatëvjeçarë.
Prindët e fëmijëve të vrarë sollën dëshmi rrënqethëse.
“Ata na thanë se nuk do të lejonin që kjo të ndodhte përsëri, por megjithatë, kjo po ndodh,” tha një nënë.
Pjesëmarrësit kërkuan të merren masa, duke përfshirë kujdes më të mirë për shëndetin mendor të nxënësve, rritjen e sigurisë dhe kontrollet më të ashpra për armëmbajtjen.
Disa nxënës vlerësuan udhëzimet e zotit Trump për të ndaluar pajisjet që i kthejnë pushkët në automatike, por thanë se edhe kjo nuk ishte e mjaftueshme. U bënë krahasime me Izraelin dhe Australinë, vendet me ligje më të ashpra për armët.
Një nxënës vuri në dukje se sot është më e lehtë që të rinjtë nën 21 vjeç të blejnë armë sesa alkool. Të gjithë i kërkuan presidentit Trump të përdorte autoritetin e tij për të bërë një ndryshim.
Presidenti premtoi se do të merrte në konsideratë të gjitha idetë, edhe disa nga ato jopopulloret, të tilla si armatosja e mësuesve për një reagim më të shpejtë ndaj një sulmi në shkolla.
Sot, ai u përpoq ta sqaronte më tej idenë, duke thënë se dëshiron të shikojë mundësinë për të pajisur me armë vetëm disa mësues “që kanë përvojë ushtarake ose që kanë kaluar nëpër trajnime të veçanta.”
Në komentet e bëra në Twitter, ai tha se “vetëm 20 për qind e mësuesve janë në gjendje të përdorin armë, nëse një i çmendur hyn në një shkollë me synime të këqia. Ne do ta shohim këtë çështje nga shumë afër”, tha Presidenti në takimin e Shtëpisë së Bardhë.
Ai tha se javën e ardhshme do të takohet me guvernatorët e të gjitha shteteve për të folur mbi këtë temë, njofton VOA.