Gjatë një takimi mes FSHF-së dhe qeverisë shqiptare, kryeministri Edi Rama tha se mazhoranca do të ndërhyjë në Kodin Penal duke mundësuar dënimin me 3 vite burg dhe përjashtim përjetë nga stadiumi për këdo që futet në fushat e blerta.

"Ne do të ndërhyjmë në kodin penal. Futja në tapetin e gjelbër do të dënohet me 3 vjet burg. Kush kalon vijën e bardhë dhe shkel në tapetin e gjelbër është kërcënim për ata që ushtrojnë detyrën. Kështu që kemi domosdoshmërinë që ta diskutojmë me shpejtësi dhe ta aplikojmë këtë dënim. Minimumi tre vjet. Ndëshkime më të rënda sesa 3 vjet u praktikuan në 1989 në Angli për ti dhënë përgjigje përfundimtare dhunës si sport më vete. Burgimi dhe përjashtimi përjetë nga stadiumi i atij që shkel vijat e bardha do të jetë hapi i parë që do bëjmë me parlamentin."

Ndërkohë kreu i qeverisë tha se Policia e Shtetit dhe Federata duhet të bashkëpunojnë për të garantuar siguri në stadiume ndërsa propozoi pajisjen me kamera të gjitha impianteve.

"Besoj se është kohë që Policia e Shtetit dhe Federata mos ja lënë topin njëri-tjetrit por të bashkëpunojnë seriozisht. Ka një pengesë ligjore lidhur me organizimin e shërbimeve policore në mjediset e brendshme të stadiumeve.  Klubet të detyrohen që të pajisin impiantet me kamera duke i dhënë mundësi policisë që të identifikojë të gjithë keqbërësit në stadium dhe duke i bërë të pakthyeshme kërkesat e prokurorisë."