Mjekët e spitalit të Durrësit kanë dalë në protestë mëngjesin e kësaj të hëne, në sensibilizim për mjekun e dhunuar dy ditë më parë, Gerald Koka.

Mjeku u godit nga pacientët teksa ushtronte detyrën e tij në repartin e urgjencës në spitalin e Durrësit, pas një konflikti mes dy personave që ishin të dehur.

Mjekët thonë se ndjehen të kërcënuar çdo ditë. “Të merren masa urgjente pasi në të kundërt e kemi të pamundur të ushtrojmë detyrën tonë humane”, shprehen ata.

Andon Ndoji, mjek pranë këtij spitali, i cili edhe vetë ka rënë pre e dhunës më parë po në ambientet spitalore, thotë se mjeku është nje aset dhe duhet mbrojtur. “Ne jemi për të dhënë shërbim, dhe jo për t’u dhunuar”, thotë ai.

Edhe mjeku tjetër, Gjergj Qerimi, kërkon me anë të mediave, të përcjellë kërkesën e tij dhe të gjithë kolegëve që të rriten masat e sigurisë, me praninë e një oficeri policie 24 orë, sidomos në ambientin e urgjencës.

Mjekët e Durrësit kanë pezulluar punën për një orë, teksa kërkojnë mbrojtje nga strukturat për të ushtruar detyrën.