U pezullua mes kaosit ndeshja mes Paokut dhe Olympiacos e vlefshme për gjysmëfinalet e Kupës së Greqisë, takim ku në fushë ishte dhe mesfushori i kombëtares shqiptare Ergys Kace, i cili ishte futur në lojë nga stoli në minutën e 62-të.

Tifozët vendas në Selanik humbën kontrollin në minutën e 90 kur rezultati ishte 1-2 për Olympiacos duke filluar trazirat në tribuna. Ata ndezën dhjetëra fishekzjarre të cilët i hodhën më pas në fushën e lojës.

Tifozët e Paokut ishin të irrituar për kartonin e dytë të verdhë që arbitri i dha futbollistit të skuadrës së tyre mesfushorit sllovak Robert Mak për simulim ndërsa fansat nga Selaniku e ndien veten të privuar nga një penallti. Tifozët e Paokut më pas pushtuan fushën duke u konfrontuar me forcat e rendit që u përgjigjën duke përdorur gazin lotsjellës për të shpërndarë turmen.

Skenat që u panë në stadiumin “Toumba” ishin vërtet të papranueshme për një ndeshje futbolli dhe bënë menjëherë xhiron e botës. Zyrtarët e takimit ndërprenë ndeshjen duke e mbyllur atë pa një rezultat final. Paoku tani rrezikon një dënim të rëndë, ndërsa pronari i klubit Ivan Savvidis tërhoqi skuadrën nga kompeticioni i Kupës duke kërkuar dorëheqjen e presidentit të Federatës Greke Giorgios Girtzikis. Savvidis deklaroi se nuk do ta dërgojë skuadrën për ndeshjen e kthimit në Athinë cilido që të jetë vendimi i organeve disiplinore.