11 dhjetor 2013 – “Në 19 vite martesë jam dhunuar pothuajse çdo ditë nga im shoq. Mora ndihmë pranë policisë dhe shoqatës së grave me probleme sociale për të ndalur dhunën që përjetoja dhe sot jam e divorcuar, me dy fëmijë, por e papunë. Më falni, po s’mund të flas më.”

Një rrëfim i shkurtër, emotiv që e bën të prekshme dhunën, që rëndom mbetet brenda katër mureve dhe bëhet publike vetëm kur degradon në krim.Gjatë këtij viti, dhuna e denoncuar në familjet durrsake është shtuar. Në krahasim me një vit më parë në nivel qarku, janë rritur ndjeshëm rastet e denoncuara të dhunës ndaj gruas, por edhe pjestarëve të tjerë të familjes. 396 raste dhune u evidentuan gjatë periudhës janar-tetor nga policia e qarkut Durrës, ndërsa prokuroria e rrethit gjyqësor Durrës deklaron se ka nisur procedimin penal vetëm për 39 prej tyre. Janë 396 raste të dhunës, ose 50 më shumë se një vit më parë, ndërsa janë plotësuar 311 Kërkesë Padi për lëshimin e Urdhrit të Mbrojtjes së Menjëhershme. Nga këto, policia përcakton se 85 raste përbëjnë vepra penale. Më tej, shumë gra, nën presionin e bashkëshortëve dhe familjarëve të tjerë, tërhiqen nga paditë. Falin dhe dhuna vazhdon. Në 197 raste dhunues ndaj gruas është bashkëshorti, bashkëjetuesi, ose ish-burri. Vetëm në 3 raste, i dhunuari është bashkëshorti dhe dhunuesja gruaja. Rastet e tjera flasin për dhunë mes antarëve të tjerë të familjes, kryesisht baballarët ndaj fëmijëve, vëllezërit ndaj motrave dhe vëllezërve të tjerë, kunati ndaj kunatës etj. Shifrat u bënë publike gjaë një takimi të organizuar me aktorë lokalë në kuadër të Ditës së të Drejtave të Njeriut dhe mbylljes së fushatës 16 ditore të luftës kundër dhunës ndaj gruas në Durrës. E organizuar nga Shoqata e Grave me Probleme Sociale dhe Bashkia Durrës, gjatë takimit u theksua rishtas domosdoshmëria për një ndihmë ligjore (falas) ndaj viktimave të dhunës dhe e ngritjes së një strehëze të përkohshme ku viktimat, gra dhe fëmijë, të mund të strehohen. Edhe pse me urdhra mbrojtjeje që kufizojnë dhunuesin t’i afrohet gruas, ata jetojnë në të njëjtën shtëpi, duke e bërë krejtësisht të pakuptimtë Urdhrin e gjykatës. Dukuria sa primitive, aq edhe aktuale ka nisur të zgjerojë gjithnjë e më shumë rrethin e viktimave, duke regjistruar dhe krime të rënda kundër personit deri në vrasje a gjymtim për jetë, dhe kërkon angazhimin e të gjithë aktorëve të shoqërisë në çdo ditë, përtej fushatave.

Në këtë ditë u organizua dhe një panair që ndërthuri dhënien e mesazheve përmes artit, punimet me dorë të grave të periferisë, si dhe ofrimin e vendeve të lira të punës nga agjencitë e punës dhe bizneset. Gjatë panairit, shumë gra të papuna, si dhe të dhunuara pohuan se u mbyllen dyert, thjesht përcillen me fjalë, pa marrë një zgjidhje, teksa kërkojnë punë pranë Zyrës së Punësimit në Durrës, ndaj sytë i kanë drejtuar te agjencitë që ofrojnë shërbim privat për gjetjen e punësimit.

 

 / V.Q Agjencia e lajmeve Dyrrah /