Policia e Lezhës ka arrestuar dy vëllezër pasi kanë dhunur vjehrrin e motrës.
Mësohet se janë vënë në pranga Ardit dhe Eltoni Keçani.
Është arrestuar gjithashtu edhe babai i djemve, pasi në banesën e tij shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan një armë zjarri automatik dhe municion luftarak.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë kanë marrë njoftim për një konflikt mes disa personave me lidhje familjare me njëri-tjetrin, në vendin e quajtur SMT, Lezhë. Sipas informacioneve personat posedonin dhe armë zjarri në banesë. Menjëherë, shërbimet e Policisë kanë shkuar në adresën e dhënë, ku kanë konstatuar se shtetasit A. K. dhe E. K.(vëllezër) po ushtronin dhunë ndaj vjehrrit të motrës së tyre, shtetasit G. J. Falë ndërhyrjes së shpejtë dhe profesionale, shërbimet e Policisë kanë arritur t’i neutralizojnë dhe t’i vënë në pranga 2 vellëzerit, duke parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit dhe ngjarjen e mundshme kriminale. Në vijim të veprimeve, shërbimet e Policisë kanë ushtruar kontroll në banesën e shtetasit L. K. (babai i dy vëllezërve), ku kanë gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri automatik me fishek në fole dhe 90 fishekë.
Në vijim të veprimeve, nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lezhë u arrestuan në flagrancë shtetasit: L. K., 57 vjeç, E. K., 29 vjeç dhe A. K., 27 vjeç, banues në Lezhë”, njoftoi policia.
Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë, për veprat penale “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak” dhe “Dhuna në familje “.





