7 dhjetor 2014–  Dhuna në futbollin shqiptar mbetet një sëmundje e pashërueshme që shkakton herë pas here viktima në të gjitha kategoritë. Ngjarja e radhës ka ndodhur në Peqin, pas takimit Shkumbini – Sopoti që përfundoi më fitoren 2-1 të miqve. Trajneri i librazhdasve, Gentian Stojku dhe ndihmësi i tij Elton Ceno janë sulmuar fizikisht nga disa persona në ambinetet e jashtme të spitalit të Peqinit, ku ishte transportuar me urgjencë pas një gjendjeje të fikti, drejtori tenkik i Sopotit Nesti Binishti.

Për pasojë, Stojku ka marrë plagë në kokë të shkaktuara nga mjete të forta, duke e kaluar natën në spitalin e Elbasanit. Dyshohet se agresorët janë futbollistë dhe tifozë të skuadrës vendase, që inatin e humbjes dhe të përplasjeve verbale gjatë sfidës, e kanë shfryrë pak kohë pasi fusha e blertë e kishte dhënë verdiktin e saj. Në ambinetet e spitalit të Elbasanit, ku Stojkut i janë konstatuar dëmtime serioze në kokë, kanë mbërritur menjëherë forcat e rendit për të zbardhur ngjarjen, por trajneri i Sopotit nuk ka pranuar të bëjë denoncim. Kjo ngjarja e rëndë, edhe pse ka ndodhur jashtë ambienteve sportive, tregon qartë se futbolli shqiptar e ka të vështirë t’u shpëtojë kthetrave të dhunës, që duhet luftuar në cdo kohë dhe me cdo mjet nga të gjithë aktorët e futbollit në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet përkatëse.