Avokatët e Durrësit do të bllokojnë gjykatat 2 ditë në shenjë proteste dhe solidarizimi për dhunën e ushtruar ndaj kolegut të tyre Ilia Ilia.

Dhoma e Avokatisë Durrës ka vendosur që në datën 26 dhe 27 korrik, të mos marrin pjesë në asnjë gjykim të çështjeve penale dhe administrative e civile, në Gjykatën e e Rrethit gjyqësor Durrës, atë Administrative si dhe në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Kavajë e në atë të Apelit.

Përmes një njoftimi për mediat, Dhoma e Avokatisë Durrës informon:

Dhoma e Avokatisë Durrës, dënon dhunën e përdorur ndaj avokatit Ilia Ilia, më datë 19.07.2018, si dhe çdo akt dhune të ushtruar ndaj çdo personi për të ushtruar detyrën e tij.

Zbardhja e kësaj ngjarjeje i mbetet organeve kompetente të policisë dhe prokurorisë, por nga ana jonë si dhomë avokatie për ngjarjen e mësipërme, shprehim indinjatën tonë duke reaguar si më poshtë;

Më datë 26 dhe 27.07.2018 të gjithë avokatët e dhomës në shenjë proteste nuk do të marrin pjesë në gjykimin e çështjeve penale, civile dhe administrative që do të zhvillohen në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Durrës, në Gjykatën Administrative Durrës, në Gjykatën e Rrethit gjyqësor Kavajë, si dhe në Gjykatën e Apelit, duke marrë pjesë vetëm në çështjet penale që lidhen me masat e sigurimit personal. Këtë vendim Dhoma e Avokatisë Durrës e mori në mbledhjen e saj të datës 23.07.2018.