Dhunimi i një të riu në fshatin Zharrëz të Fierit ka tensionuar edhe më shumë marrëdhëniet mes dy ish – aleatëve, Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Në një postim në Facebook, kandidatja e LSI-së për deputete, Erisa Xhixho akuzoi se një anëtar i Partisë Socialiste kishte dhunuar një të ri, vetëm sepse kishte thënë se do të votonte për LSI-në.

Ky është Orgest Grembi, maturant në Zharrëz i cili ka vendosur të votojë LSI, për një drejtim të ri për Shqipërinë. Por sot ai është dhunuar dhe goditur pikërisht nga një anëtar i Partisë Socialiste, me precedentë penalë, pikërisht sepse ka pohuar se është një votues i LSI-së”, shkroi Xhixho në Facebook.

Pak më vonë, Lëvizja Socialiste për Integrim tha se ish-kryetari i partisë dhe Presidenti i zgjedhur, Ilir Meta, ishte nisur drejt Fierit për të vizituar maturantin e plagosur në Zharrës.

I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i Partisë Socialiste, e cila me anë të drejtuesit të listës në qarkun e Fierit, Gramoz Ruçi, tha se distancohet hapur dhe qartë nga çdo rast dhune. Ai më tej aludoi se incidenti kishte qenë për një vijë uji dhe nuk ishte mirë të politizohej.