Përfundoi keq, madje shumë keq transferta për skuadrën “Per San Marzano”, klub diletant i San Marzano sul Sarno, të provincës së Salernos, në ndeshjen e zhvilluar në Mugnano del Cardinale (Avellino). Në fund të ndeshjes së vlefshme për kampionatin e zonës, së Kategorisë së Parë, grupi C, e përfunduar me fitoren e vendasve 1-0, ekipi mik ka rënë pre e një sulmi të dhunshëm me shufra hekuri, rripa pantallonash dhe shkopinj. Madje gjatë sulmit raportohet se është përdorur edhe një nga flamurët e arbitrit anësor. Kanë përfunduar në urgjencën e spitalit të Sarno plot 12 nga kontigjenti mik, mes futbollistëve dhe drejtuesve të skuadrës nga Salernitana, që të gjithë të shtruar në spital për një periudhë nga 5 deri në 10 ditë.

“Jemi trajtuar më keq se kafshët. Një makth i vërtetë. Më vjen për të neveri”, janë disa nga reagimiet e bëra prej presidentit të skuadrës së Per San Marzano, Annibale Pascale, në një intervistë të dhënë për të përditshmen “La Città di Salerno”. Klubi i San Marzano sul Sarno ka bërë denoncimin pranë autoriteteve kompetente, si me bazë penale, ashtu edhe atë sportive. Pikërisht mbi këto fakte ka nisur tashmë një hetim nga ana e xhandarmërisë, me qëllim identifikimin dhe ndalimin e personave përgjegjës. “Në Mugnano del Cardinale ishim viktima të një sulmi të dhunshëm dhe të qëllimshëm e të paramenduar në të gjitha nivelet dhe efektet. Një akt i shëmtuar që kishte si protagonistë drejtuesit, stafin, tifozët, futbollistët dhe personat pranë presidentit të tyre. Na pritën në përfundim të ndeshjes, në dhomat e zhveshjes për të na dhunuar me shkopa dhe rripa mesi.

Na detyruan ta shohim ndeshjen nga një banjo. Shumë nga futbollistët tanë kanë pësuar plagë, dëmtime dhe trauma, sikurse raportohet nga spitali. Forcat e policisë kanë ndërhyrë vetëm në fund të agresionit, për të na shoqëruar me eskortë deri në një zonë ku mund të konsideroheshim të sigurtë”, ka shkruar presidenti Pascale në profilin e tij në “Facebook”. Ishte i njëjti, Pascale ai që më pas ka sqaruar disa aspekte në një intervistë për të përditshmen “La Città di Salerno”: “Ishte një fiks një sulm i dhunshëm, një transertë vërtetë e dhunuar me kuptimin e vërtetë të fjalës. Jam shumë i keqardhur dhe i shqetësuar për djemt e mi që kanë pësuar një trajtim shumë më të keq se të kafshëve dhe iu desh tu nënshtrohen trajtimeve mjekësore në spitalin e Sarno. Jam i neveritur. Nuk arrij akoma të besoj dhe të perceptoj atë që ndodhi. Cili ishte faji ynë? Ai që mundëm në ndeshjen e mëparshme një skuadër të ndërtuar për të fituar në mënyrë jo sportive? Të shohësh djemtë që dhunohen me shkopinj e shufra hekuri më dhemb. Në përfundim të ndeshjes, në dhomat tona të zhveshjes erdhën disa prej futbollistëve të tyre, të keqardhur, aq sa ndërhynë për të evituar më të keqen. Kërkuan ndjesë duke u distancuar nga ajo ngjarje. Të dërgosh në spitalin e Sarno 10-12 djem, është vërtetë një thikë në zemër”, përfundoi presidenti Pascale.