Një anëtar i komunitetit LGBTIQ është dhunuar nga disa të rinj. Rasti është denoncuar në komisariatin numër 2 në Tiranë, ndërsa për këtë ka reaguar edhe Ambasada e Gjermanisë në vendin tonë.

Ambasada bën thirrje që ky sulm, i lidhur me identitetin seksual të personit duhet të zbardhet sa më parë nga policia dhe organet e drejtësisë.

“Me tronditje mësuam për sulmin brutal ndaj një anëtari të komunitetit të LGBTIQ mbrëmjen e djeshme në Tiranë. Sulmi, i cili mesa duket lidhet me identitetin seksual të viktimës, duhet të zbardhet plotësisht dhe menjëherë nga policia dhe organet e drejtësisë. Ne si Ambasadë Gjermane kundërshtojmë me vendosmëri çdo forme të dhunës verbale dhe fizike, në përgjithësi dhe e drejtuar kjo ndaj pakicave dhe anëtarëve të lëvizjes LGBTIQ. Ne do të vazhdojmë mbështetjen tonë për barazinë dhe kundër diskriminimit”, thuhet në reagimin e ambasadës gjermane në Tiranë.