Gazetari Elton Tozaj është dhunuar në mënyrë barbare ditën e djeshme, 26 dhjetor, në autostradën Tiranë-Durrës.
Sipas një reagimi nga familjarët e gazetarit në profilin e tij në rrjetet sociale, personat që e kanë dhunuar janë identifikuar, madje ata i kanë bërë thirrje edhe një vajze të njohur të showbizit shqiptar, por pa dhënë emra, “që të sqarojë se çfarë e lidh atë vajzë me trekëndëshin Rruga Ura – Patok – Kodra e Diellit”.
Krahas reagimit ata kanë publikuar edhe një foto të gazetarit, tek dallohet fytyra e gjakosur dhe syri i dëmtuar.
“Të dashur miq, Ditën e djeshme, rreth orës 19:30, në autostradën Tiranë-Durrës, gazetari Elton Tozaj është dhunuar në mënyrë barbare nga persona tashmë të identifikuar. Kërkojmë veçanërisht që një personazh i shoëbiz-it, i cili frekuenton pikërisht këta persona, të distancohet publikisht sot dhe të sqarojë se çfarë e lidh atë vajzë me trekëndëshin Rruga Ura – Patok – Kodra e Diellit. Eltoni është në luftë për të mos humbur shikimin dhe shpresojmë që së shpejti të jetë përsëri si dikur, mes nesh. Me shumë dashuri, Familja”, shkruajnë ata.

PADITË NDAJ GAZETARTIT NGA PERSONAZHET VIP
Kujtojmë se pak kohë më parë, Elton Tozaj ka njoftuar se është paditur nga moderatorja shqiptare Luana Vjollca, pasi ai deklaroi se Luana ishte “fiksuar” pas ish-partnerit Krenar Çoçaj dhe se e ndiqte atë dhe partneren e tij aktuale, Endi Demnerin.
Ai përmendi disa raste të pretenduara, si: një fluturim drejt Milanos ku, sipas tij, moderatorja gjendej në të njëjtin avion me çiftin, afërsia e vendndodhjes së saj gjatë pushimeve të verës në Saint-Tropez, në të njëjtin qytet ku gjendej ish-partneri.
Pas emisionit, avokati i saj ka kontaktuar gazetarin për të kërkuar sqarime dhe prova mbi deklaratat e bëra në publik.
Tozaj vetë e bëri këtë publik përmes një postimi në “Instagram Story”, duke shkruar: “Qesha shumë! Pas intervistës time vip-ja e radhës Luana më vë avokatin të më marrë në telefon. Këto s’kanë as guximin të telefonojnë aq të dhjera janë! Klm dhe së shpejti me listën kush del nëpër burgje si eskort”.
Tozaj reagoi sërish në një intervistë në media, duke thënë se nuk ka frikë nga procesi gjyqësor dhe se, personazhet e televizionit po mundohen ta frikësojnë në mënyra të ndryshme që të mos flas.
“Mundohen të më frikësojnë në mënyra të ndryshme që të mos flas. Kësaj këtu më telefoni avokati i Luanës. I thashë qartë: nëse do të më hedhësh në gjyq, vazhdo. Nuk kam pse të kem frikë, sepse nuk kam thënë që unë ta konsideroj të pavërtetë.
Komentet e mia lidhen me diskutimet rreth pranisë së Vjollcës në media dhe me zërat që qarkullojnë në opinionin publik, të cilët nuk i kam shpikur vetë. Unë kam thënë që Luana është një vajzë shumë e rëndësishme për të krijuar ‘Ferma VIP. Sa i intereson në Milano dhe çfarë është e parë, kam përmendur vetëm atë që flitet”, tha ai.
Por personazhi VIP që e paditi nuk ishte vetëm Luana Vjollca, pasi vetë gazetari njoftoi se është paditur edhe nga këngëtari Elgit Doda dhe partnerja e tij, Klea Huta, për të cilët deklaroi se janë ndarë dhe se Elgiti kishte nisur një romancë me një vajzë nga Lushnja.
Me tone ironike, gazetari shkroi në “InstaStory”, që çifti të mos merret me gazetarët, por me miqtë e vetë që kanë shpërndarë këto lajme.
“Më pëlqen fakti që ‘vipat’ kërkojnë të na hedhin në gjyq pse themi janë ndarë ose jo! Këshillë: Sa merreni me ne, merruni me kolegët tuaj që na japin këto lajme! Puç!”, shkroi gazetari, me nota ironie.







